E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina refuzon Shkupin për emrin

Procesi i negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit po merr përmasa të reja, pas letrave refuzuese nga ana e zyrtarëve më të lartë të politikës greke ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kryeministri grek, Lukas Papadhimos dhe lideri i partisë Nea Demokratia, Andonis Samaras përmes letrave kthyese theksuan se nuk dëshirojnë të takohen me kryeministrin Gruevski. Ky i fundit dy javë më parë i dërgoi letra të ndara dy zyrtarëve të politikës greke për të zhvilluar takime të përbashkëta lidhur me gjetjen e zgjidhjeve për procesin e kontestit të emrit.

“Lidhur me FYROM, Greqia ka mbështetur këtë vend në rrugën e saj evropiane në shumë raste. Kjo ishte edhe me rastin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit në vitin 2001 dhe përkrahja për liberalizimin e vizave. Sinqerisht dëshirojmë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona dypalëshe. Por, vendi juaj duhet ti plotësojë kriteret e Kopenhagës dhe kërkesat për partneritet dhe marrëdhëniet të mira fqinjësore. Në këtë drejtim, gjetja e një zgjidhje të pranueshme “erga omnes” në kuadër të negociatave nën mbikëqyrjen e OKB-së, mbetet me rëndësi thelbësore”, thuhet në letrën e Papadhimos.

Lideri i partisë Nea Demokratia, Andonis Samaras ka shkruar letrën me tone më të ashpra në adresë të Shkupit.

“Jam i obliguar të theksoj se aktivitetet sistematike të qeverisë dhe personalitete zyrtare të FYROM, po bllokojnë procedurën e lartpërmendur për zgjidhjen e kontestit të emrit", ka theksuar Samaras, duke inkurajuar Shkupin që të ketë një qasje pozitive në raport me çështjet e rëndësishme.

Përgjigjet e autoriteteve më të larta greke vijnë në një periudhë kur Qeveria e Maqedonisë po bën përpjekje për të zhbllokuar dhe përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, si marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në dhe ftesën për anëtarësim në NATO.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›