E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina zyrtare kritikon Shkupin për çështjen e emrit


Athina zyrtare akuzoi Shkupin se po bëhet pengesë për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tyre lidhur me emrin e Maqedonisë. "Greqia e ka thënë dhe e ka treguar se është për një zgjidhje të kësaj mosmarrëveshjeje që vazhdon që prej vitit 1991", deklaroi në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras.
"Por, ndërkohë që qeveria maqedonase është aktualisht shumë e fortë dhe në gjendje të arrijë një zgjidhje, nëse dëshiron, kryeministri Nikolla Gruevski zgjodhi mosveprimin, apatinë.
Shkupi refuzon bisedimet", këmbënguli Delavekuras.
Vendet e Bashkimit Evropian pritet ta shqyrtojnë këtë çështje në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, pikërisht gjatë samitit që do të zhvillohet në mars.
Athina, që bllokon që prej vitit 1991 njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë me këtë emër duke theksuar se ky emër i përket trashëgimisë së saj, shprehet tashmë për një emërtim "që përfshin një përcaktues gjeografik", theksoi Delavekuras. Emri "Maqedoni e Veriut" është përmendur më parë nga media greke. Shteti i ri maqedonas është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 me emrin e përkohshëm "Ish-republika jugosllave e Maqedonisë" (ARYM, FYROM në anglisht).

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›