Athinë, grevë e përgjithshme, mijëra në shesh
Në Greqi ka nisur një tjetër grevë e përgjithshme kundër masave të ashpra të qeverisë për të dalë nga kriza ekonomike. Kontrollorët e trafikut ajror do të marrin pjesë në grevë, që do të thotë se fluturimet brenda dhe jashtë vendit do të ndërpriten. Sindikatat shpresojnë të ndalojnë transportin dhe të ndërpresin trafikun ajror për disa orë. Shkollat, gjykatat dhe spitalet gjithashtu janë mbyllur.
Dje, qeveria socialiste e Kryeministrit George Papandreou paraqiti në Parlament për miratim projektligjin e reformës. Nëse ai nuk do të miratohet, do të rrezikohet paketa e ndihmës ndërkombëtare. Sindikatat janë kundër masave që do të merren për sa i përket pensionit dhe ndryshimet që do të bëhen. Ato janë të shqetësuara se, me rritjen e moshës së pensionit dhe rritjen e kontributit për fondin e pensioneve, punëdhënësit do të mund t'i heqin punëtorët nga puna kur të duan. Ato shpresojnë që të ketë pjesëmarrje të madhe në protestën e sotme para Parlamentit, ndryshe nga greva e ngjashme e nëntë ditëve më parë. Greva e sotme do të ndikojë sërish në turizmin e Greqisë, i cili është nga industritë më të prekura. Një sondash tregon se 50 për qind e grekëve janë kundër reformave, por qeveria pritet të fitojë sot në Parlament.
Sipas burimeve, 12 mijë persona kanë marshuar dje në kryeqytet me parulla dhe slogane me anë të të cilave protestonin kundër Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian, që u përfshinë në planin financiar të shpëtimit të Greqisë, duke e vënë vendin në masa shumë të rrepta të shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore. Ndihma në formë kredie nuk është aspak popullore në Greqi dhe po kundërshtohet gjithnjë e më shumë. Përveç Athinës, edhe 5000 të tjerë kanë protestuar në qytetin e Selanikut. Demonstruesit e kanë akuzuar Kryeministrin Papandreu si mbrojtës të interesave të biznesit të madh dhe për vendosje të së gjithë barrës në kurrizin e njerëzve të thjeshtë, punëtorëve, nëpunësve dhe pensionistëve. FMN, BE dhe Banka Qendrore Europiane i ka dhënë Greqisë një kredi të madhe për të shpëtuar nga buza e greminës në të cilën ndodhej, për shkak të deficitit shumë të lartë buxhetor. Njerëzit janë të mendimit se e gjithë kjo përpjekje u bë për të shpëtuar jo njerëzit e thjeshtë, por bankat dhe biznesin e madh, edhe pse Kryeministri ka pretenduar të kundërtën.
Greva e djeshme e përgjithshme ishte e gjashta që nga muaji shkurt e organizuar në Greqi dhe sindikatat e fuqishme kanë premtuar se do të vazhdojnë të organizojnë greva dhe protesta të tjera deri në arritjen e të drejtave të tyre.
#