E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar, bilanc vetëm me shifra

Drejtori Kristaq Skrami ka bërë një pasqyrë të arritjeve, duke cekur shkarazi teknikën e vjetruar, si të vetmin problem të institucionit

Në mbyllje të sezonit artistik, Teatri Kombëtar ka bërë një bilanc në shifra. Periudha e marrë në shqyrtim është sezoni artistik nga shtatori i vitit 2009 deri në korrik. Në një konferencë për shtyp, drejtori Kristaq Skrami e cilësoi si një sezon të mirë, duke rreshtuar një listë të premierave, të pjesëmarrjeve në festivale ndërkombëtare, të çmimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë, të numrit të spektatorëve dhe biletave të shitura. Në total, numri i biletave të shitura është 16200 copë për 103 herë që shfaqjet janë ngjitur në skenë. Nga këto shtatë janë premierat: “Antigona kërkon të atin” e regjisorit Mihal Luarasi, “Forca e Zakonit” e regjisorit austriak Christian Papke, “Kush ka frikë nga Virginia Wolf” me regji të Kushtrim Bekteshit, “Elektra” me regji të Adonis Filipit, “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” me regji të Mehmet Xhelilit, “Darka e gabuar” me regji të Fatos Haxhirajt dhe “Koleksioni i përhershëm” me regji të Clarence Gilyard. Të tjerat kanë qenë bashkëpunime të teatrit me kompani private, por edhe shfaqje të repertorit. Veç fondit vjetor akorduar nga ministria, palët e treta kanë mbështetur me 18.298.800 lekë realizimin e këtyre premierave.

Drejtori Skrami nuk ka qenë në gjendje të cilësojë se cila ka qenë shfaqja më e ndjekur, duke përfshirë në këtë listë kryesisht realizimet e kohëve të fundit. Faktin që asnjëra nga premierat nuk e ka arritur pragun e 15-25 shfaqjeve, drejtori e ka arsyetuar duke thënë që këto realizime do të jenë pjesë e repertorit të sezonit të ardhshëm artistik, që do të nisë në shtator. Skrami ka theksuar si fakt pozitiv që nga 107 personazhe të realizuara gjatë kësaj periudhe, 32 janë interpretuar nga aktorë të rinj. Në këtë kuadër, drejtori i TK-së ka shtuar edhe Festivalin e të Rinjve, që do të organizohet në nëntor të këtij viti. Ndonëse në këtë analizë është përmendur fakti që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është parashikuar që të rinjtë fitues nga festivali t’i atashohen për një vit organikës së TK-së, në konferencë nuk u ndal gjatë të sqarohej se sa mundësi ka Teatri Kombëtar për t’u hapur dyert të rinjve, të cilët prej vitesh ngrenë zërin ndaj mungesës së hapësirave. Duke iu referuar asaj çka do të sjellë sezoni i ri artistik, Skrami ka theksuar se sërish do t’i kushtohet vëmendje dramave kombëtare. Tri prej tyre janë të përcaktuara tashmë për t’u bërë pjesë e kalendarit, nga konkurset e organizuara për dramën shqipe. Vepra e parë është “Njeriu prej rëre” i Jonida Godoles, shpallur si drama fituese e Konkursit Austriak të Dramës Shqipe me titull "Të flasim për kufijtë". Vepra e dytë vjen po prej këtij konkursi. është drama e Stefan çapalikut “20 vjet, dy javë, dy ditë” që u vlerësua në vendin e dytë. Drama e tretë kombëtare e propozuar për sezonin e ri është “Tabloja absurde e Ferdinad Hysit” e zgjedhur nga ftesa që iu bë krijuesve për të paraqitur drama shqipe në Teatrin Kombëtar. I pyetur se nëse gjykuar nga suksesi që kanë pasur dramat shqipe në skenë, a do të ishte e udhës t’i jepet sërish hapësirë dramës kombëtare, drejtori Skrami e ka theksuar të domosdoshme. “Jo në çdo vepër presim të ketë rezultate maksimale”, ka thënë ai, duke e sjellë rastin e vlerësimit të “Allegetto Albania”-s me çmimin e kritikës në bienalen e Wiesbaden-it në Gjermani, si një rast që konfirmon se ka edhe vlera. Në fakt, pas diskutimeve të shumta vitet e fundit, për praninë që duhet të ketë drama kombëtare në skenën e Teatrit Kombëtar, mungon një analizë e përgjithshme e këtyre viteve për realizimet artistike të tyre. Nga ana tjetër, për sezonin e ardhshëm, Skrami përmendi disa bashkëpunime të huaja, e po ashtu praninë e një regjisori francez, projekte që deri më tani janë vetëm në kuadrin e bisedimeve. Drejtori i TK-së pranoi si shqetësim teknikën e amortizuar të Teatrit Kombëtar, por pa tone alarmante, duke thënë se do të përpiqen që në vazhdim të nisin të punojnë në këtë drejtim pa dhënë një afat të përcaktuar. Ka folur për një fond prej 40 milionë lekësh që do të tenderohet për ndriçimin e këtij institucioni, por gjithçka i mbetet së ardhmes.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›