E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, prishja e kateve pa leje, dështon tenderi

Firma fituese: Oferta jonë e pamjaftueshme. Kryebashkiaku i Durrësit: është ushtruar presion ndaj subjektit

Dështon tenderi për prishjen e kateve pa leje të pallatit që krijoi përplasje mes qeverisë dhe pushtetit vendor, si dhe në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Pas shpalljes si fituese e tenderit të zhvilluar më 23 qershor, firma u tërhoq duke deklaruar zyrtarisht vështirësi në realizimin e prishjes me vlerën e dhënë prej vetë asaj. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pak pasi është njohur me kërkesën për tërheqje nga shoqëria me qendër në Tiranë. Në dhjetor të vitit të kaluar, me dyer të mbyllura u miratua nga Këshilli Bashkiak fondi prej 13.2 milionë lekësh të reja për prishjen e kateve të sipërme të godinës shumëkatëshe, ndërkohë që firma ndërtuese e saj deklaroi se ishte në proces legalizimi të tyre.

Dokumenti zyrtar

Në shkresën zyrtare të shoqërisë fituese të tenderit drejtuar bashkisë, që mban si numër protokolli 124, thuhet: “Nga njoftimi për klasifikim të bërë prej Komisionit të Vlerësimit të Ofertës, shoqëria jonë është renditur e para. Për shkak se nga vlera e ofertës së paraqitur prej nesh e shohim të pamundur realizimin e shërbimit, duke pasur parasysh vështirësinë e realizimit të objektit që prokurohet, kërkojmë të tërhiqemi nga tenderi”. Përtej kësaj arsyeje, kryebashkiaku Dako sheh presionet që janë ushtruar mbi firmën fituese, e cila vetë paraqiti ofertën duke vlerësuar paraprakisht objektin që ndodhet në lagjen 3 të qytetit bregdetar, në rrugën “Skënderbej” dhe koston e prishjes së kateve shtesë në të. Në tender u paraqitën tri kompani, me vlerë 8.025 milionë lekë, me vlerë 8.4 milionë dhe një kompani që nuk paraqiti asnjë ofertë konkrete për prishjen e objektit me fond limit 10 milionë e 992 mijë lekë të reja, fonde të Bashkisë së Durrësit të planifikuara në buxhetin e këtij viti.

Afati

Katet pa leje të objektit do të prisheshin brenda një afati 4-mujor nga dita e nisjes së punimeve, ndërkohë që tashmë duhet më shumë se një muaj për të proceduar me veprimet e mëtejshme që do të çojnë në hapjen e një tenderi të ri. Institucionet deklarojnë se janë 7 kate pa leje në godinën 22-katëshe, ndërkohë që sipas firmës dhe avokatit të saj janë vetëm 3 kate e gjysmë dhe për to është kërkuar legalizim. Kreu i ALUIZNI-t në Durrës pati deklaruar se objekti nuk do të kualifikohet për legalizim dhe se fotografimi i objektit do të ngelë në pamjet e fiksuara në 2006-n dhe jo ndërtimin që ka vijuar dhe më pas. Prishja e kateve pa leje ka një kosto të lartë dhe kërkon mjete e ndërhyrje të specializuara, pasi është në lartësi të mëdha dhe në një objekt të banueshëm, ndërkohë që mund të dëmtohen edhe katet e tjera nga prishja e të sipërmve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›