E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athine nepunesit kunder takimit me trojken

Protestuesit kanë bllokuar hyrjen e ministrisë së Financave dhe disa ministrive të tjera në përpjekje për të penguar fillimin e bisedimeve , mes autoriteteve greke dhe përfaqësues të trojkës europiane. Ndërsa qeveria në Athinë pret me padurim lëvrimin e këstit të gjashtë të ndihmës me vlerë prej 8 miliardë euro për të evituar falimentimin shtetëror eskpertët europianë të financave do të kontrollojnë paraprakisht politikën greke të kursimeve. 

BE, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërpreu në shtator punën e saj për shkak se qeveria greke po vonohej me zbatimin e programit të kursimeve. Sot rreth 200 punonjës të ministrisë së Financave bllokuan hyrjen e godinës ku punojnë nën thirrjen “Merrni ndihmën tuaj dhe largohuni". Ata kërkonin të pengonin takimin e ministrit Evangelos Venizelos me inspektorët e trojkës nën pretendimin se plani i kursimeve e zhyste dhe më në varfëri e vështirësi Greqinë.

Para kthimit në Athinë misioni kërkoi premtime me shkrim mbi zbatimin e reformave duke reflektuar dhe mungesë besimi tek autoritetet shtetërore pas vonesave në planin e privatizimit dhe reformës fiskale. Por sipas sindikatës së nëpunësve civilë ADEDY, masat e kërkuara nga trojka kanë pasoja të tmerrshme.

"Janë bllokuar shumica e ministrive. Pasi kjo ka të bëjë me punonjësit në ministri, ka të bëjë me shoqërinë, ka të bëjë me masat barbare dhe të dhunshme që kjo qeveri ka marrë. Ky është një paralajmërim. Unë shpresoj se ata do të dëgjojnë kësaj here dhe do të ndalojnë këtë politikë katastrofike", tha Ilias Iliopoulos, sekretar i përgjithshëm i ADEDY.

Protestuesit bllokuan gjithashtu hyrjet e ministrisë së Brendshme të Drejtësisë, të Punës, të Shëndetsisë dhe asaj të Bujqësisë. Protesta e nëpunësve civilë do të vazhdojë dhe gjatë dy ditëve në vijim.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›