E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, qeveria merr votëbesimin, Papandreu: Greqia do ia dalë

ATHINE- Qeveria greke mori mbrëmë vonë votëbesimin e parlamentit. Rreth orës 01:00 pas mesnate me orën lokale, 298 deputetë të pranishëm në sallën e Parlamentit, përfunduan votimin, në fund të të cilit qeveria mori 155 vota pro dhe 143 vota kundër.Votimi i qeverisë u parapri nga 3 ditë debate, të cilat filluan dhe u mbyllën me fjalimin e kryeministrit Jorgo Papandreu.

Ai kërkoi nga deputetët e gjithë palëve, votën pro për qeverinë e tij, me qëllimin e vetëm, për të shpëtuar vendin nga kriza ekonomike.

Kryeministri Papandreu deklaroi se është mision i të gjithëve të punojmë në këto kohë të vështira për Greqinë dhe se kjo krizë që po përjeton vendi është njëherësh edhe mundësia për ndryshim. Papandreu u shpreh me besim se Greqia do t’ia dalë të kalojë krizën dhe se për këtë i takon cdonjërit të marrë përgjegjësitë e veta.

Gjatë gjithë ditëve të debatit në parlament, madje edhe mbrëmë në orët e vona, jashtë godinës së parlamentit lëvizja e qytetarëve të zemëruar protestonte kundër qeverisë dhe planit të saj antikrizë, i cili do të votohet në datën 28 Qershor në Parlament.
(s.g/NEWS24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›