Transparency International: Në Shqipëri, çalojnë prej ngërçit – raporti drejton gishtin nga Edi Rama dhe Bamir Topi
Në një raport lidhur me ndaljen e reformave në luftën anti-korrupsion në Ballkan, Transparency International evidenton ngërçin politik dhe mosreformimin e gjyqësorit. Për të parën, mbetet pengesë bojkoti i opozitës, ndërkohë që për të dytën, s’po funksionon as KLD-ja e Bamir Topit
Transparency International deklaron se ngërçi i vazhdueshëm mes dy partive politike ka ndaluar reformat më të rëndësishme në dy vitet e fundit dhe bën thirrje për implementimin e ligjeve antikorrupsion, si kusht për integrimin në BE. Në raportin e fundit, të botuar sot në Bruksel, organizata ndërkombëtare e shoqërisë civile në krye të luftës kundër korrupsionit, analizon situatën në Shqipëri, Kosovë Maqedoni dhe Turqi dhe nënvizon se mungesa e vullnetit politik po pengon luftën kundër korrupsionit. Në raportin e titulluar “Masat antikorrupsion të BE-së, matja e progresit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Turqi” nënvizohet se të katër shtetet duhet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve anti-korrupsion. Raporti i bën thirrje qeverive të këtyre vendeve “që të ndërtojnë kapacitete dhe të përmirësojnë qeverisjen e institucioneve kryesore”. Jana Mittermaie, Shefja e zyrës Ndërlidhëse të TI në BE nënvizon se në këto vende “Ka nevojë për vullnet të fortë politik për të trajtuar problemin antikorrupsion. Siguria se reformat antikorrupsion janë implementuar dhe të pakthyeshme është thelbësore për të siguruar një proces të pranimit të besueshëm dhe një qasje të barabartë për korrupsionin në mbarë Europën”
Konkluzione për Shqipërinë
Duke iu referuar Shqipërisë raporti konstaton se “ngërçi i vazhdueshëm mes partive politike ka ndaluar reformat e rëndësishme për gjatë dy viteve të fundit. Sistemi gjyqësor ka nevojë për reforma që të sigurojë pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin e gjykatësve”. Raporti ndalet në sistemin gjyqësor ku duhet “rritje të kapaciteteve dhe kriteret e përpikta për emërimin e gjykatësve dhe imunitet i limituar në raste keqpërdorimesh dhe korrupsioni”. Sa i përket administratës publike dhe administratës në parlament, raporti konstaton se “ka një ndërhyrje politike në emërimin e nëpunësve civilë”, ndërsa “Parlamentit i mungon një administratë profesionale dhe e pavarur”. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon që këto 4 vende të përmbushin standardet financiare, ekonomike, sociale dhe politike. Këtu përfshihet edhe progresi në fushën anti-korrupsion dhe qeverisjes së mirë “e cila është vërtetuar se mbetet një pengesë për vendet kandidate ose potencialisht kandidate në BE” - nënvizon Transparency International në raportin e publikuar sot në Bruksel. Raporti konkludon se ndërsa “shpesh herë korniza ligjore ekziston në ajo që mungon është zbatimi i ligjeve për të katër shtetet.” “Kapacitetet e ulëta dhe qeverisja e dobët në gjyqësor, legjislature dhe administrim publik na ndihmojnë të kuptojmë boshllëkun që ekziston mes ligjit dhe zbatimit të tij në këto vende” - nënvizon raporti.
Kosova
Numri i vogël i gjykatësve dhe mungesa e mbështetjes teknike, si dhe mungesa e profesionalizmit, janë çështjet thelbësore që karakterizojnë sistemin e drejtësisë. Shërbyesit civilë nuk janë të stërvitur sa duhet, ndërhyrja politike në procesin e rekrutimit është jashtë kontrollit dhe pagat e ulëta pengojnë joshjen e personelit të kualifikuar. Mbi të gjitha ka mungesë të transparencës në prokurimin publik, gjë që ka ngritur dyshime për korrupsion mbi një numër kontratash të nënshkruara së fundmi. Parlamenti gjithashtu përballet me vështirësi në përmbushjen e rolit mbikëqyrës që ka ndaj qeverisë, për shkak të mungesës së kapacitetit në personel. Pamundësia e medias dhe shoqërisë civile për të monitoruar qeverinë dhe presidencën e Kuvendit gjithashtu paraqet problem.
Maqedonia
Në Maqedoni, raporti vlerëson se ka probleme të theksuara në ndërhyrjen politike ndaj shkarkimit të gjykatësve, emërimit dhe shkarkimit të shërbyesve civilë, qasjes në informata dhe zbatimit të procedurave të prokurimit publik. Është e pamundur, për shembull, për publikun të marrë informacione mbi sesionet në gjykata, meqë koha nuk bëhet e ditur.
Turqia
Për Turqinë ndërkaq, raporti nënvizon se problemi kryesor ka të bëjë me rekrutimin, emërimin dhe promovimin e gjykatësve, me gjithë përmirësimet që janë bërë së fundmi në ligjet aktuale. Parlamenti ndërkaq, nuk ka kod etik për anëtarët e tij, sikur që nuk ka kod sjelljeje as për anëtarët e sistemit të drejtësisë.
...