E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ati Amorth: E vranë pas zbavitjes seksuale

Ekzorcisti kryesor katolik pohon se 15-vjeçarja e zhdukur, për të cilën mendohet se është varrosur në varrin e mafiozit Enrico De Pediso, është rrëmbyer për nevoja të ndejave seksuale në Vatikan.

Ati Gabriele Amorth (85), të cilin papa Xhon Pali i II’të e shpalli si ekzorcistin kryesor, dhe i cili gëzon përkrahjen dhe respektin e plotë të papës aktual Benediktit të XVI’të, pohon se në gjithë këtë aferë janë të përfshirë zyrtarët e Vatikanit dhe diplomatët e huaj të akredituar në Selinë e Shenjtë.

Në një intervistë për gazetën ditore italiane ‘La Stampa’, ai deklaroi se vajza e re, Emanuela Orlandi, ishte rrëmbyer për shkak të një krimi të natyrës seksuale, dhe se pastaj, për t’i humbur të gjitha gjurmët, ishte vrarë.

"Ky ishte një krim me motive seksuale”, tha Amorth gjatë intervistë për ‘La Stampa’

Ati Amorth, i cili deri më tani ka kryer 70,000 rite të ekzorcizmit, vendosi të flas pasi që hetuesit kishin nisur kërkimin e trupit të Emanuela Orlandi – nëpërmjet hulumtimit të varrit të mafiozit Enrico De Pediso.

Në fakt, pas një telefonate anonime gjatë një emisioni televiziv, sipas së cilës fshehtësia e zhdukjes së Emanuela’s ndodhet në varrin e mafiozit, policia dhe ekipi i forenzikës javën e kaluar ekshumuan varrin e tij. Aty u gjetën edhe eshtra që nuk i takonin mafiozit,edhe pse ende nuk është konstatuar se të kujt janë ato.

Ati Amorth ndërkaq pohon se, në verën e vitit 1983, Emanuela e re ishte rrëmbyer nga rrugët e Romës, dhe se fillimisht ishte detyruar që të merrte pjesë në orgjitë për të cilat zyrtarët e Vatikanit kishin “rekrutuar” disa vajza të reja.

"Edhe më parë thuhej nga ana e monsinjorit tashmë të ndjerë Simeone Duca - por edhe nga arkivistët e Vatikanit - se nga ai ishte kërkuar që t’i siguronte vajzat për ndeja... Besoj se edhe Emanuela përfundoi në atë rreth. Kurrë nuk kam besuar në ndonjë teori tjetër.

Kam arsye të besoj se ky ishte një rast i shfrytëzimit seksual. Kjo pastaj shpiu në vrasje, e më vonë edhe në fshehjen e eshtrave të saj”, sqaroi ati Amorth për ‘La Stampa’.

"rrjeti i tyre seksual përfshinte edhe personelin diplomatik të Ambasadave të huaja a në Vatikan. Besoj se Emanuela përfundoi si viktimë e rrethit të tyre të mbyllur”, vazhdoi ai tutje.

Deri më tani nuk pati asnjë përgjigje të Vatikanit ndaj pretendimeve të atit Amorth.

Përse u vra vajza e pafajshme?

Javëve të fundit mediat italiane janë përplot teori të ndryshme lidhur me atë se përse dikush do të mund ta ketë vrarë një vajzë të pafajshme.

Përveç teorisë, sipas së cilës, Emanuela ishte rrëmbyer sepse babai i saj kishte dëshmi që e lidhnin Bankën e Vatikanit me krim të organizuar, ndërkohë u paraqit edhe një teori tjetër, sipas së cilës Emanuela ishte vrarë për shkak se ishte zbuluar që ishte dashnorja e një zyrtari të lartë të Vatikanit. Bazë e këtij rrëfimi janë deklaratat e ish të dashurës së Enrico De Pediso, Sabrina Mirandi, e cila befasisht - në qershor të vitit 2008 – 18 vjet pas vrasjes së De Pediso’s, vendosi të fliste për rrëmbimin e Emanuela’s. Sipas dëshmisë së saj, rrëmbimi ishte porositur nga ish-presidenti i atëhershëm i Bankës së Vatikanit, gjegjësisht i Institutit për Veprat Fetare (IOR), monsinjori Paul Casimir Marcinkus.

Ka vite që flitet për shkaqet që e shtynë Marcinkus të kërkonte rrëmbimin e Emanuela’s nga De Pediso. Sipas teorisë së parë, ai në këtë mënyrë donte t’ia mbyllte gojën babait të saj, i cili rastësisht erdhi në posedim të dokumenteve që tregonin se Banka e Vatikanit ishte e përfshirë në punë të pista me mafian - të cilës ia shpërlante paratë. Teoria e dytë ishte se, ishte zbuluar se Emanuela e mitur kishte lidhje dashurie me një zyrtar të lartë të Vatikanit. Nga frika që Selinë e Shenjtë të mos e tronditë një skandal i madh seksual, Vatikani vendosi që “problemin’ ta eliminonte me ndihmën e De Pediso’s.

Në Vatikan kjo teori u cilësua si “thashetheme dhe e pabazë”.

Ndaj akuzave se ai e kishte porositur rrëmbimin nga De Pediso, Marcinkus nuk mundi të përgjigjej, sepse vdiq (si 84-vjeçar) dy vjet para akuzave të Miranda’s - në vitin 2006.

Ndryshe, ati Amorth edhe në të kaluarën dha disa deklarata të kontroverse, si ajo se joga dhe Harry Potter janë “vepra të djallit”. Para dy viteve ai deklaroi se “skandalet seksuale që po e bombardojnë Kishën Katolike janë dëshmi se në Vatikan po vepron djalli”. E, në vitin 2006, në një intervistë për radion e Vatikanit, ati Amorth pohoi se lideri nazist, Adolf Hitler, dhe diktatori rus, Stalin, ishin të pushtuar nga djalli.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›