Bankat greke, 18 miliardë euro nga paketa e shpëtimit
Katër nga bankat kryesore greke do të marrin një injeksion kapitali prej 18 miliardë eurosh për të rimbushur rezervat e tyre, të cilat u goditën nga marrëveshja ristrukturuse e borxhit të Greqisë. Fondi për Stabilitetin Financiar në Greqi njoftoi të mërkurën se e ka aprovuar fondin për bankat. Shuma 18 miliardë euro do të ndahet ndërmjet Bankës Kombëtare të Greqisë, Eurobank, Alpha Bank dhe Banka e Pireut, si pjesë e planit të rikapitalizmit prej 50 miliardë eurosh për të rritur likuiditetin e tyre dhe për ti mbajtur në funksion. Plani i rikapitalizimit është një element parësor i paketës së dytë të huas për Greqinë, prej 130 miliardë eurosh, për të cilën Greqia ka negociuar me BE dhe FMN. Bankat greke kanë pësuar humbje të mëdha pas faljes së mbi 50 për qind të borxhit të qeverisë greke, sipas marrëveshjes së paketës të dytë të ndihmës. Përveç kësaj, bankat greke janë goditur shumë gjatë ditëve të fundit, ku klientët, të trembur nga destabiliteti politik, kanë tërhequr një pjesë të mirë të depozitave të tyre me një ritëm prej rreth 1 milion eurosh në ditë. Ata u janë trembur edhe raportimeve se Greqia mund të dalë nga eurozona për shkak të paqartësive se kush do të qeverisë dhe çfarë programi do të ndjekë, dhe kjo do të detyronte bankat të kthenin paratë e tyre në monedhën e vjetër, dhrahmi, e cila do të ishte e zhvlerësuar.
Një ditë më parë, Financial Times ka raportuar mbi një marrëveshje sekrete për financimin e bankave greke. Sipas prestigjiozes financiare, Banka Qendrore Europiane qetësisht dhe jo si pjesë e programit të shpëtimit ka përdorur asistencën e likuiditetit emergjent për të ndihmuar bankat në vendet e goditura të eurozonës. Nuk është e qartë se sa shumë ka dhënë BQE, por Financial Times ka vlerësuar se rreth 100 miliardë euro u janë dërguar bankave greke. Banka Qendrore Europiane nuk ka pranuar të deklarojë se sa ndihmë do të japë, apo kur dhe ku. Nuk jepen detaje kur situata është emergjente, sepse ato e përkeqësojnë situatën. Prandaj nuk e shoh të dobishme të tregohem më transparent, ka deklaruar guvernatori i Bankës së Belgjikës, Luk Koene për Financial Times.
Legarde
Greqia duhet të pranojë se për të qenë pjesë e eurozonës duhet paguar një çmim. Kjo ishte deklarata e kryetares së FMN-së, Kristine Legarde, e cila tha se kishte mospërputhje mes dëshirës së popullit grek për të qëndruar në eurozonë dhe votës së tyre për partitë që i refuzonin masat e kursimit. Kryetarja e FMN-së tha për dikush duhet ta paguajë çmimin për mungesën e menaxhimit të borxheve nga Greqia.