E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, qeveria themelon Zyrën Administrative në Mitrovicën veriore

Qeveria e Kosovës do të ketë një zyrë administrative në veri të Mitrovicës, me një vendim që thellon deklaratat e ligjvënësve se asnjë pjesë e territorit të vendit nuk do të lihet jashtë juridiksionit të tij. Dje u miratua vendimi për themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet e investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit. Në një njoftim për mediat nga Kryeministria e Kosovës, thuhet se fillimisht kjo zyrë do të përbëhet nga 7 drejtori me 55 të punësuar dhe ajo do të drejtohet nga një zyrtar i lartë administrativ, që do të përzgjidhet përmes konkursit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës dje u fol edhe për incidentin e djegies së dy shtëpive serbe. Incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Drenovc afër Klinës. Qeveria e Kosovës e ka dënuar aktin dhe ka theksuar se e drejta e kthimit të të zhvendosurve në pronat e tyre është e patjetërsueshme, dhe autoritetet do të vazhdojnë angazhimin e tyre për të siguruar kthim dhe jetë të lirë në pronat e veta për të gjithë qytetarët. Ky akt nuk na dekurajon në angazhimin tonë për kthimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës në pronat e tyre, tha Kryeministri Hashim Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›