E Diel, 1 Nëntor 2026

Atleti i madh italian Pietro Menea mberrin ne Shqiperi

Për herë të parë vjen në Shqipëri. Pas vetëm një muaji mbush 60 vjeç, është lindur vetëm disa dhjetëra kilometra larg këtij vendi dhe më në fund gjigandi i atletikës, Pietro Menea, arriti që të vizitonte vendin fqinj. Kjo me rastin e turneut të atletikës me emrin e tij që Federata Shqiptare e Atletikës organizon në kryeqytet.
 “Jam i lumtur dhe i nderuar që jam në Shqipëri. Është hera e parë që vij këtu, ndërsa ju jeni vendi i parë që organizoni një miting me emrin tim. Ndoshta duhej të kisha ardhur më parë, pasi unë kam lindur pak milje larg, në Barleta. Shqipëria ka potencial për atletikën, edhe pse nuk ka shumë pista. Pistat ndërtohen, por kryesor është potenciali”, tha Menea
Menea ishte rekordmen botëror i 200 metrave me kohën 19”72, rekord që mbeti në fuqi për 17 vjet dhe që është ende sot rekordmen europian.
Menjëherë pas mbërritjes në Rinas, Menea, Emian dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës u nisën drejt Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), ku u pritën nga titullari, Bumçi.
Fillimisht, ministri i priti në zyrën e tij, duke zhvilluar një bisedë miqësore, ndërsa më pas, u dha një konferencë për shtyp. Bumçi e quajti historike vizitën e Meneas dhe të Emianit në Shqipëri.
Pas tij, Menea foli edhe një herë duke e quajtur të veçantë pritjen që iu bë në Shqipëri.
 “Këtë pritje që më kanë bërë në Shqipëri nuk ma kanë bërë në asnjë vend tjetër të botës. Dua ta veçoj këtë fakt dhe të falenderoj kryeministrin Berisha, ministrin Bumçi dhe Federatën Shqiptare të Atletikës (FSHA). Po ashtu dua të them se unë u bëra rekordmen i garave të shpejtësisë duke qenë nga Mesdheu dhe jo nga Amerika, Gjermania apo Rusia. Kjo do të thotë se një kampion mund të lindë kudo”, shtoi ai.
Në konferencë foli edhe Emian, i cili falenderoi presidentin Ruli për  ftesën dhe ministrin Bumçi për pritjen, duke i uruar sukses atletikës shqiptare, ndërsa nuk pati përkthyes për anglishten e tij.
Miningu me emrin e Pietro Meneas do të zhvillohet të enjten në Tiranë, duke nisur nga ora 17:30 dhe në të parashikohet të marrin pjesë 50 atletë nga shumë vende të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›