E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet, Juventus bllokon Fabio Kapelon

Sipas revistës QS, që jo rrallë ka ofruar lajme bombastike, të cilat më vonë kanë rezultuar të sakta, në numrin e dalë dje në botim ka hedhur një prapaskenë merkatoje interesante, që përfshin klubin e Juventusit. Kjo media thekson se kampionët kanë nisur të marrin masat në klub, në pritje për të kuptuar situatën dhe të vërtetën e Kontes në lidhje me përfshirjen e tij në skandalin e basteve. Pasi ish-futbollisti i drejtuar nga ai te Siena, Filipo Karobio ka konfirmuar në dy pyetësorë përfshirjen e teknikut leçez në manovrimin e dy rezultateve të Sienës. Konte pritet të thirret së shpejti të japë versionin e tij përpara hetuesve dhe prokurorëve që po ndjekin skandalin e trukimit të ndeshjeve. Dhe në rastin më të keq, sikur tekniku që shpalli Kampion Italie Juven, të konfirmohet i përfshirë në trukim, atëherë presidenca torineze ka gati njeriun që do të marrë drejtimin e ekipit në sezonin e ardhshëm. Natyrisht që për momentin, i gjithë Juventusi me në krye presidentin Andrea Anjeli, mbron dhe zotohet të ndihmojë në çfarëdo mënyre trajnerin e tij, por në pritje të një konfirmimi final dhe dhënien e një vendimi se Konte nuk ka asnjë lidhje me bastet, gjërat do të mbesin pezull për disa javë. Sipas revistës QS, Juventusi ka pak ditë që ka hapur bisedimet me një ish-të madh, Fabio Kapelon, i cili pasi i ka dhënë lamtumirën Kombëtares së Anglisë, është në pritje për tu rikthyer në punë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›