Atmosfera parazgjedhore në Greqi
Grekët do t'i drejtohen sërish kutive të votimit në zgjedhjet kombëtare që do të përcaktojnë se cili do të jetë ai që do të trajtojë shumë çështje madhore ne vend, një ndër të cilat është edhe ekonomia greke, për të cilën popullsia ka shumë pakënaqësi. Greqia është tronditur gjatë muajve të fundit, jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga protestat e shumta që nxiteshin nga pakënaqësite e grekëve kundrejt politikave të qeverisë. Kryeministri grek Kostas Karamanlis, lider i Partisë Konservatore Demokracia e Re, ka qenë një ndër më të "akuzuarit" në radhët e qeveritarëve, duke u ndeshur ashpër me reagimet e publikut, për korrupsion, për mosmarrjen e masave të duhura në ekonomi, për skandale politike, etj. Karamanlis thirri zgjedhjet e parakohshme, dy vjet para afatit, për të kërkuar një mandat të ri, për të trajtuar çështjet e ekonomisë në mes një krize financiare, por anketat e opinionit tregojnë se partia qeverisëse është në disavantazh kundrejt partisë opozitare, e cila duket se ka një popullaritet më të madh aktualisht. Sipas sondazheve Partia Socialiste e Jorgos Papandreout, renditet përpara demokracisë së re me 6 %. Grekët janë të zemëruar dhe të zhgënjyër nga Karamanlisi përsa i përkët papunësisë së lartë, humbjeve të vendeve të punës, pagat e ulëta, reformat e mbetura në arsim dhe shëndetësi, si dhe përfshirja e politikanëve të lartë në një sërë skandalesh për mitëmarrje. Gjatë mandatit të tij Karamanlis u përball më shumë pakënaqësi nga populli, duke iu referuar këtu edhe zjarreve masive që përfshinë vendin disa herë, dhe viktimat që ato shkaktuan, apo trazirave që gjeneruan pas vrasjes së një të riu nga policia greke në 2008.