E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ato, të urtat gjer në vetësakrifikim

Edhe këtë herë listat e kandidatëve për deputetë të parlamentit të ardhshëm ishin plotësisht “burrërore”, një sinjal i keq sekonfl iktet politike do vazhdojnë të na shoqërojnë edhe për katër vitet e ardhshme. Listat u mbajtën pezull deri në çastet e fundit të afateve ligjore nga kryetarët e partive, shenjë e presionit të aktorëve të brendshëm për të ndikuar maksimalisht në hartimin e listave bashkë me kryetarët fuqiplotë të secilës parti. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste zhgënjyen sërish, si dy partitë që i kanë dhënë tonin e ngadalësuar ritmit të përparimit të vendit tonë prej 23 vitesh, e nga të cilat pritej edhe reflektimi, emancipimi apo thjesht mbajtja e premtimeve publike në mbështetje të rritjes së rolit të grave në vendimmarrje. Përfshirja tejet modeste e zonjave në listat e kandidatëve për deputetë të dy partive të mëdha ka dy aspekte: aspektin ligjor dhe atë moral e politik.
Aspekti ligjor
Ndryshimet që prekën aspektin gjinor në Kodin e ri Zgjedhor ishin nën nivelin e pritshmërisë së grave të përfshira në partitë politike. Dy ishin kërkesat e grave të përcjella në mënyrë unanime nëpërmjet forumeve politike, organizatave të shoqërisë civile, apo faktorit ndërkombëtar për përmirësimin pozitiv të nenit në ligjin e mëparshëm, sipas të cilit “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”. Kjo, pasi artifici “dhe/ose” bëri që në 2009, 30-përqindëshi të plotësohej me zonjat në fund të listave, të cilat patën fatin të jenë dekor politik i radhës dhe spektatore të fitores së burrave në krye të listave. Kërkesa e dytë lidhej me gjobën pothuaj qesharake prej 30 mijë lekësh, si sanksion për moszbatim të kuotës gjinore. Kërkohej heqja e sanksionit të gjobës për mosrespektimin e kuotës, duke e zëvendësuar me mospranim të listës, pasi gjoba rezultoi një artific lehtësisht i kapërcyeshëm për partitë politike, për të vazhduar mosrespektimin e këtij kriteri. KQZ-ja e kaluar e përforcoi dozën e goditjes ndaj grave dhe aspiratave të tyre në politikë, kur gjoba modeste e parashikuar nga Kodi Zgjedhor as nuk u ekzekutua ndaj partive, që nuk respektuan kriterin e barazisë gjinore në lista e zgjedhjet lokale të 8 majit. KQZ-ja e mëparshme në përbërje të së cilës ishin dy zonja, e “harroi” këtë shkelje dhe kalimi i afateve të marrjes së masës së ndëshkimit për kundërvajtje administrative bëri që 53 partitë politike, shkelëse të kriterit të barazisë gjinore, as të mos ndëshkoheshin sipas ligjit.
Ndryshimet në Kodin e ri ishin gjithaq zhgënjyese për gratë në politikë. Kështu, Kodi i ri parashikonte detyrimin për çdo zonë zgjedhore që “të paktën 30% e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”. Ndërsa masa e gjobës për partitë që nuk e respektojnë kriterin zgjedhor, thjesht u rrit në 100 mijë lekë për çdo listë në zgjedhjet parlamentare dhe 50 mijë lekë për zgjedhjet lokale.
Listat e shpallura nga PD e PS tashmë janë dukshëm në shkelje të ligjit zgjedhor për detyrimin e përfshirjes së një zonje në treshen e parë të listës për çdo qark. Kështu, treshja e parë e Partisë Demokratike është tërësisht burrërore në Elbasan, Dibër, Berat, Kukës ndërsa e Partisë Socialiste në Dibër, Kukës e Gjirokastër. Për momentin mbetet për t’u parë si do sillet KQZ-ja aktuale ndaj shkeljeve të partive politike, teksa e paplotësuar, reflekton ndarjen e barabartë gjinore 50 me 50 dhe drejtohet nga një grua.
Aspekti moral e politik
Rritja e rolit të grave në vendimmarrje është parë si domosdoshmëri vitet e fundit, jo thjesht si element demokratik për pasqyrimin edhe në vendimmarrje të realitetit numerik natyror krejtësisht të barabartë mes dy gjinive në Shqipëri. Ka pasur një vetëndërgjegjësim të grave për nevojën e përfshirjes së tyre në vendimmarrje, jo si një proces i demokratizimit të brendshëm të partive politike, por më shumë si një inkurajim konkret me rritje kapacitetesh nga organizatat ndërkombëtare në Shqipëri, më aktivja, edhe për shkak të lidhjes organike me procesin e zgjedhjeve, OSBE, e cila është investuar sistematikisht, sidomos pesë vitet e fundit për mbështetjen e grave si në nivelin qendror, ashtu edhe atë vendor. Kjo solli forcimin e legjislacionit që garanton barazinë gjinore dhe bashkimin e grave në një Platformë Kombëtare lobuese për të rritur numrin e grave në qeverisjen qendrore e atë vendore. Ky lobim u pasua nga evente me kryetarë e drejtues të tjerë të lartë të partive politike, të cilët artikuluan hapur e publikisht mbështetjen për gratë në politike, duke rritur entuziazmin e grave lobuese, por edhe të ndërkombëtarëve e forumeve civile që i mbështesnin. Eventet e fundit politike me organizatat e gruas të PS-së e PD-së me kryetarët respektivë, që artikulonin plot pathos mbështetjen e respektin për rolin e tyre, si gjysma e domosdoshme e shoqërisë, na shpalosën salla entuziaste me zonja shpresëplota për kryetarët e “emancipuar” më në fund, edhe për shkak të punës së tyre lobuese.
Por pak çaste para mesnatës së datës 6 maj, afati i fundit i dorëzimit të listave në KQZ, gratë shpresëplota të partive politike kuptuan të vërtetën e vjetër të hidhur, se nga e thëna në të bërë, për kryetarët e tyre është ende në mes një det i tërë. Si zakonisht kuotën gjinore të dy partitë e mëdha e kanë përkthyer si vendosje të grave në fund të listave të kandidatëve për deputetë nëpër qarqe. Kështu, dy partitë e mëdha i kanë mbyllur njëlloj me zonja listat e tyre në Durrës, Dibër, Berat e Vlorë, ndërsa veçmas PD ka listuar të fundit një grua listën e qarkut të Durrësit, e të Kukësit, ndërsa Partia Socialiste ka mbyllur me një grua listën e Korçës, me dy gra listën e Beratit e të Lezhës dhe me plot 3 gra ka mbyllur listën e qarkut të Fierit.
Në vend të një konkluzioni pesimist që kërkon reflektim realist
Që prej datës 6 maj, në të gjitha studiot televizive, faqet e gazetave e rrjetet sociale, diskutohet plot pasion e u “qahet halli” burrave që kanë mbetur jashtë listave, atyre që janë katapultuar nga kryetarët në lista, qejfmbeturve me ose pa të drejtë, që “rënkojnë” jashtë listave, ose atyre që kanë marrë përsipër të kandidojnë, një model i nxitur nga opinionbërësit në masën 90% burra, që ia kanë dalë të tërheqin me sukses në vorbullën e këtij impenjimi energjik maskilist edhe 10 %-in gra opinionbërëse. Edhe për këto të fundit, halli i burrave të viktimizuar nga listat është shumë më prioritar se ai i grave. Mbase se për to mund të flitet me datën 8 Mars, në ditën e tyre, e për të gjitha hallet e tyre. Nga ana tjetër vetë gratë e penalizuara nga listat, nuk ndihen, por vuajnë e gëlltisin në heshtje, e të vetme, siç ishte rasti i një zonje që shpalli rikthimin në profesion, poshtërimin e radhës që u ofruan kryetarët fuqiplotë dhe mungesën e mbështetjes nga kolegët gra e burra. Ato zakonisht aq të zëshme në mbështetjen pa kushte për lidershipin partiak, që dhurojnë sistematikisht besim, ndershmëri, përkushtim e punë të jashtëzakonshme elektorale, brohoritje që tundin sallat e aktiviteteve partiake si askund tjetër, duke gjeneruar energji për kryetarët, janë ende të heshtura e krejt pa zë këto ditë, kur duhet të ulërasin për talljen e radhës që u bëhet e të reflektojnë se prova e vetme e vullnetit të liderëve të tyre politikë për krijimin e hapësirave për to në vendimmarrje janë vetëm veprimet e aspak premtimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›