E Shtunë, 31 Tetor 2026

U preka nga mikpritja shqiptare

Të dashur miq! Vetëm pesë javë më parë erdha në Tiranë për konferencën “Thjesht Bashkimi Evropian”. U preka nga mikpritja e ngrohtë që më bënë qytetarët shqiptarë dhe nga diskutimet e gjalla që patëm mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sot, në Ditën e Evropës, kur festojmë synimet themeluese dhe parimet e Evropës, po ju drejtohem sërish për t’ju siguruar se besoj fort në vendin e Shqipërisë në Evropë.
Me zhvillimin e tij, Bashkimi Evropian u ka mundësuar njerëzve të tij të shijojnë një periudhë të paprecedent paqeje dhe prosperiteti.
Me gjithë vështirësitë e kohëve të fundit, Evropa vazhdon të jetë një burim frymëzimi me vlerat dhe standardet e saj të jetesës dhe në rastin e zgjerimit, edhe me pushtetin transformues që sjellin reformat dhe ndryshimet që nevojiten për arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e jetës.
Integrimi evropian do të sjellë përmirësime të mëdha jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në luftën kundër korrupsionit dhe në menaxhim e shëndetshëm financiar, por gjithashtu edhe në mbrojtjen sociale dhe perspektivat e punësimit, në sigurinë e ushqimit dhe mjedisit, duke përmirësuar kështu në mënyrë radikale cilësinë e jetës së njerëzve.
Pasi dëgjova mendimet e shqiptarëve në konferencën “Thjesht Bashkimi Evropian”, jam më i bindur se kurrë se Evropa është ajo çka duan shqiptarët – dhe se është entuziazmi dhe motivimi i popullit shqiptar që do ta shtyjë përpara Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Ne jemi të angazhuar t’ju ndihmojmë për arritjen e aspiratave tuaja evropiane.

* Mesazhi i komisionerit të BE me rastin e 9 majit, Ditës së Europës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›