Aty ku qetësia blihet lirë
Pogradeci është një nga qytetet turistike më të bukur të vendit. Ai njihet edhe si qyteti i luleve, verës dhe peshkut koran, një specie e rrallë që rritet vetëm në ujërat e liqenit të Ohrit. Ka shëtitoren me të gjatë në bregliqen përgjatë plazhit, mbushur me gjelbërim dhe ku mbrëmjeve vazhdojnë xhirot tradicionale pogradecare. Pika më e vizitueshme nga turistët është Driloni, që ndodhet 4 kilometra larg nga qyteti, një pikë turistike me burime ujore dhe peizazh të mahnitshëm. Në periudhën e verës plazhi zhvillohet në një vijë prej të paktën 25 kilometrash, ku ndodhen plazhet private dhe ai publik përgjatë shëtitores “1 Maji”. Në Pogradec ka disa plazhe me rërë e guralecë të vegjël. Në fund të shëtitores së qytetit gjenden vilat qeveritare të futura mes pemëve dhe gjelbërimit dhe të pozicionuara në buzë të liqenit. Në Pogradec dhe përgjatë vijës së bregliqenit gjenden restorante dhe hotele me çmime të arsyeshme. Një natë akomodim në Pogradec në hotel nuk e kalon 2500 lekë, ndërkohë që ka edhe rezidenca për VIP-a në komplekse ku çmimet variojnë nga 40-80 euro për dhomë. Në pikat turistike të Linit dhe Tushemishtit gjenden edhe shtëpi pushimi me një çmim 1000-1500 lekë nata.
#