Zhdukja e Bleonës, banorja dëshmon për një makinë misterioze
Ende vazhdon të jetë misterioze zhdukja e Bleonës 6-vjeçare në fshatin Zapod të Kukësit 25 ditë më parë, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka përqendruar hetimet te një episod i ri i zbuluar nga dëshmitarë të zonës. Një automjet i dyshimtë ka lëvizur me shpejtësi në të njëjtën orë me zhdukjen e vogëlushes, që ka ngjallur dyshimet e grupit hetimor, se ky mund të jetë “çelësi” i zbardhjes së ngjarjes. Në pyetje janë marrë banorë të zonës, të cilët kanë konfirmuar për prokurorinë se në afërsi të fshatit Zapod është parë një automjet, brenda të cilit kishte disa persona. Automjeti lëvizte me shpejtësi në një rrugicë të fshatit dhe dyshohet se ka kaluar kufirin shtetëror të Shqipërisë në drejtim të shtetit të Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas të cilëve, personat që e kanë parë këtë mjet të dyshimtë kanë dhënë detaje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa priten të tjera prova për të faktuar se ngjarja mund të konsiderohet si rrëmbim i mundshëm.
DëshmitëGrupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka shoqëruar disa banorë të zonës për t’u marrë në pyetje në Kukës dhe Tiranë. Hetimet janë përqendruar në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku janë marrë në pyetje disa banorë të zonës, ndërsa në Drejtorinë e Policisë së Kukësit janë shoqëruar disa persona të dyshuar si autorët e mundshëm. Me gjithë koordinimin e strukturave të policisë dhe prokurorisë, ende asnjë person nuk është arrestuar apo dyshuar për zhdukjen e mistershme të Bleona Matës 25 ditë më parë, ndërsa vijojnë të mbërrijnë informacione për pista të mundshme hetimore. Dëshmitarët e thirrur dje në prokurori kanë shpjeguar edhe për lëvizjet e personave të dyshimtë në zonën ku është zhdukur vogëlushja. Një vajzë e re ka pohuar dje në prokurori se një djalë i ri ka qarkulluar në atë zonë dhe më pas një automjet ka lëvizur me shpejtësi. Dëshmitarë të tjerë kanë treguar detaje nga automjeti, si dhe kanë pohuar se brenda në automjet ka pasur persona, ndërsa nuk kanë saktësuar targën e automjetit, çka ka lënë enigma të tjera për grupin hetimor. Ajo çka është saktësuar nga prokuroria është fakti se në atë zonë kanë lëvizur persona dhe automjete të dyshimta, çka ka ngjallur dyshimet për një rrëmbim me qëllim trafikimi të vogëlushes 6-vjeçare. Me gjithë të dhënat e reja të mbërritura në prokurori, grupi hetimor nuk ka përjashtuar asnjë pistë hetimore, që nga implikimi i personave që e panë për herë të fundit e deri te ndonjë konflikt i mundshëm i babait të Bleonës me banorë të zonës.
HetimetMe gjithë daljen në dritë të pistave të reja hetimore për zhdukjen e Bleonës, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka përqendruar hetimin te grupi i të rejave që ndodheshin në kullotë me Bleonën ditën e 22 majit. Vajzat janë thirrur për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetuesit deklarojnë se ato janë të vetmet të cilat duhet të dinë dhe të japin shpjegime për zhdukjen misterioze të Bleonës. Halla e vajzës ka pasur luhatje në dëshminë e dhënë në polici pas zhdukjes së Bleonës dhe asaj që u ka treguar prindërve të saj. Ky fakt ka bërë që të thellohen dyshimet për pozicionin e Alketa Matës në këtë çështje. Hetuesit dyshojnë se halla e Bleonës, së bashku me një fqinje të familjes, mund të fshehin ndonjë histori për të cilën Bleona e vogël ka qenë dëshmitare dhe persona të tjerë mund ta kenë rrëmbyer për qëllime presioni apo për të mos nxjerrë në shesh të vërtetën. Megjithatë, mbetet mister fakti pse grupi i vajzave ka lëvizur për te bagëtitë në të njëjtën kohë, duke e lënë të vetme Bleonën, vetëm 6 vjeçe, ndërsa më pas prokuroria ka zbuluar se në atë zonës kanë lëvizur persona dhe automjete të dyshimta.
#