Aty ku vdesin detrat dhe lindin shpresat
I shenjtë si Vatikani por i rrethuar nga “armiqtë” që nuk e njohin ende. Të vuajtur por të kamur. Të sakatuar dhe më pas të vrarë. Histori thuajse të ngjashme me shqiptarët që i mbrojtën edhe i strehuan. Vendi ku vdesin detërat dhe lindin shpresat. Izraeli. Aty ku shpresa mbretëron në zemrën e çdo njeriu. Shpresa pra, një prej temave më të rëndësishme të librave të Amos Oz. Që haset edhe në kryeveprën e tij “Një histori dashurie dhe errësire”. Një autobiografi për një familje që arrin të mbijetojë deri në dhimbjen më të madhe, atë të vetëvrasjes së nënën. Por shpresa është edhe kryefjala që përsëritet në Izrael, shteti ku i riu Amos u formua. Shkrimtari tashmë është 72 vjeç, dhe konsiderohet (dhe me të drejtë), si një prej autorëve më të shquar të vendit të tij si brenda dhe jashtë vendit të tij. Ndoshta pikërisht për këtë arsye në një moshë shumë të re vendosi që mos të mbante mbiemrin e babait (Klausner) për të mbajtur mbiemrin Oz, që në gjuhën hebraike do të thotë “forcë”. Ndërsa shpresa është diçka qendrore për jetën e tij intelektuale. “Çdo histori bazohet në shpresën. Nuk ka rëndësi sesa mund të duket pesimiste, melankolike apo dëshpëruese. Ai që e tregon pret gjithsesi që dikush ta dëgjojë, dikush tjetër të jetë në gjendje ta lexojë duke krijuar kështu një lidhje. Të shkruash është një akt shprese dhe shpresa është një nevojë njerëzore elementare” – do të shprehej në një prej intervistave të tij Oz. Tashmë shtëpia e tij ndodhet në shkretëtirën e Negev –it. Por fjalët e tij nuk janë plot jetë e shpresë. Amos Oz rithekson: “Izraeli është një vend që lind nga ëndrrat dhe shpresa. Edhe në këtë rast, ka egzistuar më parë nëpër libra sesa në realitet. Shikoni librat e Theodor Herlz, një prej baballarëve të sionizmit. Në një roman të tij të vitit 1902, Alteneuland përshkruan një shtet hebre që asokohe dukej krej si një ëndërr e bukur. Dhe Tel Aviv-i, përpara se të ishte një qytet real, ka qenë imagjinuar nga Herzl. Mes shpresës dhe realizmit lidhja është shumë e ngushtë”. Dhe nëse dikush e pyet shkrimtarin nëse realizmi pengon një zgjidhje të konfliktit palestinez përgjigjet shpejt se: “Në të kundërt, realizmi përshpejton një vendim që në këtë moment duket më i mundshëm se më përpara”. Ju jeni për dy shtete të ndara, një për hebrenjtë dhe një për arabët atëherë? - “Mund të thuhet se: pacienti është gati për operimin, por mjekët janë shumë të trembur për ta bërë”. Në një prej librave tuaj Mali i Këshillës së Keqe, duket se ka një ndjenjë pritje, pothuaj pasigurie. Edhe kjo ka të bëjë me shpresën? - “shikoni - do të përgjigjej shkrimtari - historitë e përmbledhura në librin “Mali i Këshillës së Keqe”, ambientohen në një periudhë shumë delikate, në vitet 1946 - 1947. Pas Shoah, përpara lindjes të shtetit hebraik. Një periudhë pasigurie, por edhe me pritje të forta. Më kujtohet një batutë që qarkullonte në atë epokë: Në Izrael, thuhej se: nëse nuk beson tek mrekullitë, do të thotë që nuk je shumë realist”. - “Frika është vetëm faqja tjetër e medaljes, ndoshta për këtë nuk duhet të kemi frikë. Shpresa dhe frika janë të ndara si nga një teh i hollë, por për fat gjithsecili prej nesh mund të vendosë se nga cila anë kërkon të qëndrojë. Përgjegjësia individuale është e para prej dy kolonave në të cilat mbështetet shpresa. Ndërsa tjetra është solidaritetit social, që personalisht e kam konsideruar si “rrugën e tretë” mes darvinizmit ekonomik dhe kapitalizmit dhe totalitarizmit ideologjik të komunizmit. Në këto kohë krize ekonomike, duhet të mendohet në mënyrë ndërkombëtare mbi parametrat e një solidariteti të ri. Do të ishte një provë konkrete dhe pra një akt shprese kurajoz. E konsideroj shpresën një element universal. Jam i bindur që edhe njeriu i parë në shpellat e tij, kultivonte një ndjenjë shprese. Është një sjellje që përshkon të gjithë eksperiencën njerëzore, që në fillimet e histories së saj”. Shumë prej librave të shkruara prej jush tregojnë histori familjesh: aty mund të mësohet shpresa? -“Në familje mësohet gjithçka, familja është një shkollë e mirë për çdo lëndë. Është mikrokozmosi i jetës njerëzore, gjithaq edhe tema qendrore e letërsisë. Nëse do të më pyesin që të sintetizoja në një fjalë të vetme argumentet e librave të mi do të thoja libra me “familje”. Nëse do të më thoshin, shto edhe dy do të shtoja “familje të vuajtura”. Po sikur fjalët të ishin tre? Në këtë çast shkrimtari Amos Oz shton: - “Atëherë lexoni librat e mi”.