Dënimi i paprecedentë i gjykatës për shtetasin Kostandin Xhuvanin, 2 vjet burg për vrasje
Në datën 12 shkurt 2011, rreth orës 07:30 të mëngjesit, në rrugën “Ali Visha”, në banesën private në pronësi të Sh.Zela, Kostandin Xhuvani ka vrarë me armë zjarri pistoletë për motive të dobëta Alfred Musabelliun dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima së bashku me dy shokët e tij, A.G. dhe P.P. ka shkuar në banesën e Albi Zelës për t’u sqaruar lidhur me një konflikt që kishin pasur më parë me njëri-tjetrin. Pasi ka hyrë në banesë, Musabelliu është takuar me të dhe me Kostandin Xhuvanin, ndërsa dy shokët e tij kanë qëndruar jashtë banesës. Pasi janë takuar, viktima dhe Albi Zela kanë filluar të konfliktohen me njëri-tjetrin. Aty ka ndërhyrë edhe Kostandin Xhuvani, i cili menjëherë ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar Alfred Musabelliun në kokë, nga pjesa e përparme, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Pasi kanë dëgjuar të shtënat A.G. dhe P.P. janë larguar me vrap të frikësuar. Në këtë moment Konstandin Xhuvani dhe Albi Zela kanë dalë jashtë nga shtëpia dhe i kanë ndjekur nga pas, ku Konstandini ka qëlluar me pistoletë. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, Kostandin Xhuvani u arratis për t’u dorëzuar 3 muaj pas negociatash intensive mes të afërmve të tij dhe policisë së Tiranës.
...