Sherri për një femër, plagosen rëndë tre adoleshentë
Një përleshje me thika mes disa të rinjve në periferi të kryeqytetit ka përfunduar me një bilanc tragjik; tre adoleshentë janë plagosur, ndërkohë policia ka arrestuar dy prej autorëve të ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 morën njoftim se në Sauk, pas një grindjeje për motive të dobëta, janë plagosur tre shtetas, me armë të ftohtë, thikë. Sipas tyre, “të plagosurit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën”. Pas hetimeve të bëra, policia e kryeqytetit njofton se u mundësua identifikimi dhe kapja e autorëve të dyshuar të kësaj plagosjeje, të cilët janë minorenët E. S., Y. T. dhe F. M., respektivisht të moshave 16 dhe 17 vjeç.
Arrestimet
Zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini, thotë se ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një grindjeje për motive të dobëta midis tyre. Mendohet se shkak për këtë përleshje ishin kontradiktat për një femër, e cila gjithashtu është minorene, moshatare me personat e konstatuar në këtë konflikt të dhunshëm. “Autorët e dyshuar u kapën gjatë orëve të vona të mbrëmshme, në afërsi të Unazës së Re dhe në Sauk, Tiranë”, - njofton policia, sipas së cilës, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tre shtetasve të sipërcituar do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë, në bashkëpunim”, - njoftoi dje policia e kryeqytetit.
Dhuna
Rastet e dhunës mes adoleshentëve janë shtuar ndjeshëm në Shqipëri. Vetëm dy ditë më parë një 16-vjeçar u plagos me automatik nga shoku i tij pa dashje, por ky rast tregoi se sa “kollaj” munden adoleshentët të sigurojnë armë dhe municione. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë në lagjen “Agjencia” në Gramsh, kur 16-vjeçari me iniciale T. R. është plagosur me një plumb në gjoks. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Gramshit dhe pas mjekimit të parë u nis drejt Spitalit Ushtarak për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë, në vendngjarja mbërritën oficerët e policisë për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se adoleshenti është plagosur nga shoku i tij me iniciale E. A., 15 vjeç. Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.
Arrestohet 38-vjeçari, vrau e bashkëkombësin e tij në Angli
Policia e Krujës çon në qeli një 38-vjeçar të shpallur në kërkim për vrasjen e një emigranti shqiptar në Londër. Afrim Cubi, 38 vjeç, lindur dhe banues në rrethin e Krujës, është arrestuar sot në qendër të këtej qyteti pasi rezultonte person i shpallur në kërkim për veprën penale të “vrasjes”. Burime nga policia thanë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, më datë 24 shtator të këtij viti, ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në ngarkim të 38-vjeçarit. Ngjarja për të cilën akuzohet Cubi ka ndodhur në Angli më datë 17 janar të vitit 2001, në qytetin e Londrës, ku ai ka vrarë me armë zjarri shtetasin Frederik Ndreka, lindur dhe banues në Shkodër, emigrant në Angli. Ndalimi i Cubit u krye në sajë të një pune të organizuar nga policia ditën e sotme, në qendër të Fushë-Krujës.
Vlorë, lëvizte në qytet i armatosur me pistoletë, arrestohet 24-vjeçari
Lëvizte në qytet i armatosur, arrestohet nga policia një 24-vjeçar. Mehmet Mehmeti, 24 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, është arrestuar sot nga policia në flagrancë, në afërsi të rrugës trans-ballkanike, Vlorë, me një armë zjarri pistoletë e tipit “TT”, model 54, me një sasi prej 7 fishekësh të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një silenciator për armë zjarri luftarake me nr. 29380 në trupin e saj. Policia i ka komunikuar 24-vjeçarit masën e arrestit për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Dy persona tentojnë të grabisin pikën e “Wester Union”-it
Një “Wester Union” i ka shpëtuar paq grabitjes së dy personave të maskuar, të cilët u larguan me shpejtësi pasi pandehën se u diktuan. Ngjarja ndodhi mbrëmë në Rrugën e Durrësit, përballë gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, kur dy persona të maskuar kanë tentuar të grabisin pikën e shpërndarjes “Wester Union”, pronë e shtetases M. L. Gruaja ka denoncuar menjëherë ngjarjen në polici, ku oficerë të shumtë mbërritën pranë agjencisë për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja pa grabitur para.
17 Tetor 2009