Sfidat e Presidencës Suedeze për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve ballkanike
Vëmendja e makinerisë drejtuese të BE-së u përqendrua gjatë kësaj periudhe në ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2010, pas votës pro të Irlandës më 3 tetor 20091. Traktati i Lisbonës nuk zgjeron në mënyrë rrënjësore kompetencat e BE-së, por ai tenton të demokratizojë vendimmarrjen dhe ta bëjë atë më eficiente. Megjithatë, një nga propozimet më të spikatura lidhur me eficiencën, siç ishte zvogëlimi i numrit të komisionerëve, ashtu sikurse ishte propozuar të realizohej që nga viti 2014, nuk u mbajt në projektin përfundimtar. Traktati i ri krijon mundësi të reja për zgjerimin e BE-së si shtysa e vetme reale për zgjerimin mbi bazë rregullash të qarta veprimi, pa ndryshuar procedurat e anëtarësimit dhe praktikën e ndjekur deri tani.
Traktati pritet të përfundojë procedurat kushtetuese të miratimit dhe nga Republika Çeke.
Nga pikëpamja institucionale, Traktati ofron një panoramë trekëndore ndërmjet Presidentit të Komisionit Europian, i cili drejton armatën ekzekutive të BE-së, Presidentin e Këshillit Europian për një mandat dy vjet e gjysmë me kohë të plotë, i cili do të jetë figura kryesore që do të përfaqësojë BE-në në arenën ndërkombëtare, si edhe përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, i cili do të mbajë dy kostume: atë të zëvendëspresidentit të Komisionit Europian dhe drejtues i Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, forum vendimmarrës i Ministrave të Punëve të Jashtëm të Vendeve Anëtare të BE-së. Adresimi i krizës ekonomike përmes iniciativash bashkërenduese në nivel komunitar është një tjetër prioritet i axhendës suedeze, megjithëse kjo e fundit ka në dorë pak mjete për ta realizuar atë. Politikat fiskale dhe ekonomike në BE vazhdojnë të mbeten në dorë të shteteve anëtare dhe vendimmarrjeve të tyre të brendshme, ndërkohë që Presidenca Suedeze, për këtë çështje, duket se po mbështetet te zbatimi më rigoroz i rregullave të tregut të përbashkët, si edhe përkthimi në masa ligjore i paketës së masave për mbikëqyrjen e tregjeve financiare, propozuar që në Samitin e qershorit 2009 të liderëve europianë.
Jo më pak e rëndësishme për këtë presidencë mbetet dhe çështja e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimaterike. Për këtë qëllim, Presidenca Suedeze po përpiqet që Samiti i Kombeve të Bashkuara i Kopenhagës, që do të mbahet në dhjetor të këtij viti, të jetë sa më i suksesshëm. Dhe për të garantuar suksesin, BE-së i duhet të japë shembullin e para në bashkërendimin dhe konsolidimin e politikave që ndikojnë në ngrohjen globale. Trioja presidenciale e ka konsideruar jetik bashkëpunimin në këtë fushë me aktorë të rëndësishëm politikë si SHBA, Kina, Brazili, Rusia. Hartimi i një strategjie afatgjatë në të cilën do të jetësohet vizioni i munguar në menaxhimin e ndryshimeve klimaterike do të jetë motivi i këtij bashkëpunimi. Përpjekjet aktuale të Presidencës Suedeze materializohen në idenë e hartimit të një marrëveshjeje klimaterike globale që do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe të shfrytëzimit të burimeve natyrore.
Procesi i zgjerimit
Tema e zgjerimit të ardhshëm të BE-së është shndërruar në “thembrën e Akilit” për secilën nga presidencat. Eksperienca e përcjellë nga zgjerimi i 1 majit të 2004-s, që ka qenë njëkohësisht zgjerimi më i madh që ka njohur BE gjatë ekzistencës së tij, lë hapësira për skepticizëm dhe hamendësime mbi të ardhmen e BE-së. Pavarësisht këtyre eksperiencave, Presidenca aktuale shprehet optimiste lidhur me procesin e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së duke e konsideruar zgjerimin një prioritet parësor. Miratimi i Traktatit të Lisbonës shërben si një vlerë e shtuar në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm Suedez, Karl Bild, i cili është një ithtar i zgjerimit dhe njohës shumë i mirë i konflikteve të Ballkanit, shprehet: “Zgjerimi mbetet për BE-në një instrument parësor për krijimin e sigurisë, demokracisë dhe prosperitetit në Europë. Çdo anëtarësim në familjen europiane e ka bërë BE-në më të fortë, më të përshtatshëm dhe në pajtim me nevojat e shoqërive të ndryshme”. Në këtë kontekst, zgjerimi duhet kuptuar si një proces me dy kahe dhe përfitime të ndërsjella për palët. Pohimi i lartpërmendur i z. Bildt dëshmon qartë qëndrimin inkurajues të Suedisë ndaj zgjerimit të BE-së, proces që lidhet drejtpërdrejt me perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendet aspirante për anëtarësim në BE ndodhen në stade të ndryshme të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Ndaj dhe pritshmëritë janë të ndryshme për secilin vend.
Kroacia dhe Islanda
Kroacia mund të konsiderohet si një rast suksesi, eksperienca e së cilës për progresin e arritur duhet të ndiqet nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kroacisë në BE do t’u japë shpresë aspiratave të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor duke dëshmuar parimin e “dyerve të hapura të BE-së” për çdo vend që përmbush standardet. Arritja në një kompromis të përbashkët lidhur me konfliktin kufitar Kroaci-Slloveni bëri të mundur që Kroacia, më 2 tetor të 2009-s, të rifillojë negociatat me Brukselin duke përmbyllur pesë kapituj të acquis dhe duke hapur gjashtë të rinj. Me sa duket, gjatë presidencës suedeze negociatat me Kroacinë do të jenë rezultati më konkret për Ballkanin Perëndimor përpos procesit të liberalizimit të vizave me vendet e tjera. Kroacia dëshiron të përmbyllë negociatat me BE-në brenda vitit 2010. Islanda dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE vetëm pak ditë pasi Suedia kishte marrë timonin e BE-së më 16 korrik të 2009-s. Islanda pritet të fillojë negociatat për anëtarësim me Brukselin brenda dhjetorit të këtij viti. Aktualisht, ajo është një ndër partneret më të ngushta të BE-së nga pikëpamja ekonomike, pasi është pjesë e Marrëveshjes së Zonës Ekonomike Europiane (EEA) që në 1994-n. Islanda ka marrë pjesë pa të drejtë vote në disa nga programet dhe agjencitë europiane që mbulojnë çështjet e sipërmarrjes, edukimit, mjedisit. Gjithashtu, Islanda është edhe pjesë e hapësirës “Shengen”. Argumentet e mësipërme dëshmojnë se Islanda de facto është afër anëtarësimit të plotë në BE, pavarësisht se de jure anëtarësimi i saj pritet të bëhet së bashku me Kroacinë brenda 2012-s.
Shqipëria
Shqipëria përballet me dy sfida themelore në rrugën drejt integrimit europian: fillimi i shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim në BE dhe përfitimi nga procesi i liberalizimit të vizave. Megjithëse Shqipëria e paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE qysh më 28 prill 2009, Presidenca Çeke, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së, në sinkron të plotë, deklaruan se çështja e aplikimit do të shihet e lidhur ngushtë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Sipas komisionerit për Zgjerim, Oli Ren, “tashmë që zgjedhjet u mbyllën në përputhje me pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, sfida të rëndësishme që kanë të bëjnë me përparimin në programin e reformave gjenden përpara”. Qëndrimi kushtëzues i opozitës ndaj Kuvendit të Shqipërisë duket se e ka nxitur më shumë komisionerin Ren për të inkurajuar kryeministrin dhe qeverinë e tij “për të punuar së bashku me opozitën në Parlament për të çuar më tej programin e reformave europiane”. Me gjasë Këshilli i Ministrave të BE-së, brenda periudhës tetor–nëntor 2009, në një nga mbledhjet e tij, do t’i kërkojë Komisionit Europian përgatitjen e pyetësorit për Shqipërinë, çka do të shënojë edhe fillimin e shqyrtimit të aplikimit. Ashtu si në rastin e Malit të Zi, Këshilli i BE-së nuk do të marrë vendim për aplikimin e Shqipërisë duke e trajtuar atë si çështje “A”, e cila nuk shtrohet për votim. Normalisht, brenda dimrit pritet që pyetësori t’u dorëzohet autoriteteve zyrtare të Tiranës duke reflektuar gjithashtu edhe gjetjet e raportit të progresit të Komisionit Europian të publikuar më 14 tetor 2009. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Presidenca Suedeze e ka bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e saj për të pasur brenda vjeshtës një vendim pozitiv për disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor (Maqedonia, Serbia, Mali i Zi), që kanë përmbushur standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave. Në të njëjtën kohë, Presidenca Suedeze “inkurajon Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme, me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre”. Pra, sfida e përshpejtimit të heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë kalon përmes plotësimit të standardeve të Udhërrëfyesit.
Shkëputur nga studimi i institutit “EMA” për integrimin e vendeve ballkanike në BE
17 Tetor 2009