Aksidentet, dy të vdekur nga shpejtësia në 24 orët e fundit
Dy aksidente të rënda me pasojë vdekjen janë regjistruar në 24 orët e fundit në Shqipëri. Rasti i parë u regjistrua në Elbasan, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në aksin Elbasan-Mollas. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 11:00, në fshatin Floq të komunës së Mollasit. Mjeti tip “Benz”, me targa EL 7631 B, me drejtues shtetasin Shpëtim Idriz Duka, 52 vjeç, lindur e banues në fshatin Jagodinë të Elbasanit, ka dalë nga rruga, gjë që shkaktuar vdekjen e menjëhershme të shoferit. Po ashtu, si pasojë e këtij aksidenti është dëmtuar shtetasja Adelina Shërmadhi, 47 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Mollas, e cila ka qenë pasagjere në mjet. Sipas zëdhënëses Valbona Begu, e dëmtuara është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka dërguar grupin hetimor, i cili po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Durrës
Nga ana tjetër, në autostradën Durrës-Tiranë, një 17-vjeçar, i cili po udhëtonte me mjetin e tij, është përplasur me ndarësen e rrugës dhe ka gjetur vdekjen në spital pas disa orësh si pasojë e plagëve të marra. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dje në mëngjes, rreth orës 02:50, mjeti “BMW”, me targa të huaja TV 975268, me ngjyrë të verdhë, me drejtues shtetasin Ramadan Mani, 17 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Bathore të Tiranës, duke udhëtuar në autostradën Durrës-Tiranë, ka dalë jashtë rruge në afërsi të Fermës së Sukthit. Si pasojë është dëmtuar rëndë drejtuesi i mjetit, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë për ndihmë mjekësore. “Dëmtimet kanë qenë tepër të rënda dhe ai ka ndërruar jetë me të mbërritur në spital”, - thonë burimet policore të policisë së Durrësit.
Masat
Nisur nga situata e rëndë që është krijuar prej disa muajsh në rrugët e vendit, policia e Tiranës (në veçanti) ka marrë disa masa të ashpra ndaj drejtuesve të automjeteve. Janë ndërmarrë një sërë kontrollesh dhe masash ndëshkuese ku vetëm ditën e djeshme janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 127 leje qarkullimi të mjeteve. Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare 646 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. Shërbimet e Policisë së Tiranës deklarojnë se do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, vetëm dje, në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur 1337 masa administrative dhe janë pezulluar 7 leje drejtimi.
Vrasja e Shkodrës, identifikohet autori
Si rezultat i hetimeve të kryera dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur natën e së enjtes në Shkodër, ku mbeti i vrarë Olsi Curri. Policia, në krye të 24 orëve, ka mundur të identifikojë autorin, i cili rezulton të jetë 25-vjeçari Alfons Fusha, lindur e banues në lagjen “Tom Kola” të qytetit Shkodër. Mbrëmjen e së enjtes Curri ka mbetur i vrarë dhe një kalimtare 31-vjeçare e plagosur prej një personi për motive të dobëta, ndërsa kalonin në një nga rrugët e qytetit të Shkodrës. Burimet policore konfirmojnë se personi që ka mbetur i vrarë nga goditja me pistoletë quhet Olsi Curri, lindur dhe banues në Shkodër, ndërsa e plagosura është R. Pali, e cila ndodhej si kalimtare çasti në vendin e ngjarjes. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili kreu veprimet e duhura hetimore dhe proceduriale. Nga hetimet e kryera rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa autori është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, “plagosje nga pakujdesia” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Shpallet në kërkim pasi dhunoi policët e Bashkisë
Forcat e policisë së Korçës kanë shpallur në kërkim 45-vjeçarin Thoma Spaho, lindur në Sarandë dhe banues në qytetin e Korçës. Sipas të dhënave policore, ky person akuzohet për cenim të zyrtarëve pasi ka fyer dhe goditur me grushte për shkak të detyrës specialistët e Kontrollit të Territorit dhe inspektorët e Policisë Bashkiake pranë Bashkisë së Korçës. Lidhur me ngjarjen në fjalë janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 239 të Kodit Penal, në ngarkim të këtij personi. Po punohet për kapjen e autorit, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës.
Kërkohej për trafik droge, kapet në kufi me Kosovën
Pasi është kapur në pikën kufitare të Morinës, menjëherë ndaj të dënuarit për trafik lëndësh narkotike është realizuar ekzekutimi i vendimit gjyqësor që ekzistonte ndaj tij. Burimet policore të Elbasanit konfirmojnë se fjala është për 22-vjeçarin Devis Shurdhi, lindur dhe banues në Lushnjë, i dënuar edhe më parë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Gjykata e Elbasanit e ka dënuar atë me 1 vit e 10 muaj heqje lirie për veprën penale të “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”, vepër penale kjo e parashikuar nga Neni 283/1 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Ataku kardiak i merr jetën policit, nisin hetimet
Një punonjës policie është ndarë nga jeta dhe dyshohet se ai ka pësuar një atak kardiak. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se dje ka nisur çështja penale për vdekjen natyrale të Pelivan Rexhep Dedes, 41 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Moravë të Korçës. Ai ishte punonjës policie në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë së Korçës. Sipas burimeve policore, “ky shtetas është goditur nga një atak kardiak dhe ka gjetur vdekjen në Spitalin civil të Korçës.
Tiranë, arrestohen dy të rinj, vidhnin pasqyrat e benz-ave
Dy të rinj janë arrestuar dje nga policia pasi akuzohen për vjedhje pasqyrash të automjeteve tip “Benz”. Astrit Lokja, 26 vjeç dhe Alban Hyka, 23-vjeç, nga Shkodra, u arrestuan dje nga policia pasi gjatë një kontrolli të kryer në mjetin e tyre tip “Benz”, me targa TR 1689 M, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, iu gjetën pesë pasqyra mjeti tip “Benz”, 3 kaçavida, një komplet çelësash ekzagon, pinca dhe një çelës poligon. Fill pas gjetjes së materialeve, të cilat shërbejnë për të çmontuar pasqyrat e automjeteve, policia nisi hetimet për të zbuluar nëse dy të rinjtë i kishin vjedhur ato. Kështu, pas hetimeve policia zbuloi se të arrestuarit i kishin vjedhur pesë pasqyrat në kohë të ndryshme në kryeqytet. Sipas policisë, të gjitha vjedhjet ishin kryer në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë dhe dy shkodranët gjuanin benz-at për t’u çmontuar atyre pasqyrat.
17 Tetor 2009