E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela Gaçe: Në skenën e Eurovizionit do nxjerr karakterin tim

Nga Dusseldorf (Gjermani) Ilda Lumani

Pasioni i saj për muzikën do të pushtojë skenën e Eurovizionit sonte në mbrëmje, në Dusseldorf të Gjermanisë, ku Aurela Gaçe do të interpretojë këngën “Feel the passion”. Emocioni, gëzimi, komplimentet që ka marrë nga konkurrentët e tjerë e bëjnë mjaft optimiste për të shpresuar jo thjesht finalen. E ndërsa tashmë ka mbërritur nata e madhe e konkurrimit ne sjellim këtë intervistë ekskluzive të këngëtares Aurela Gaçe, realizuar dje pas përfundimit të provave gjenerale.

Aurela, sapo ke mbaruar provat gjenerale. Si ndihesh?

Ndihem shumë mirë. Nuk e di sesi do të dalë rezultati, por një gjë u kam premtuar shqiptarëve dhe vetes, që do të bëj figurë të mirë dhe potente. Këtë gjë jemi duke e bërë. Pastaj rezultatin nuk e di!

Dhe si u ndjeve në skenën e Eurovizionit?

U ndjeva shumë mirë! Unë duke e njohur veten, duke pasur parasysh që kam një karrierë të gjatë, e di shumë mirë kur nuk ndihem mirë nuk jap dot atë më të mirën. Sot u ndjeva mirë. Isha e qetë përpara se të dilja në skenë dhe isha e tillë gjatë gjithë kohës. Dhe kjo është e rëndësishme të mund të përçohet emocioni që unë kam, t’ua jap edhe njerëzve.

Po në kompleks, si u ndjeve me performancën me paraqitjen tënde?

Jam shumë e kënaqur, sepse ka shumë karakter është shumë i detajuar si look-u dhe veshja ime që është gdhendur në trup, duke filluar nga thonjtë dhe te flokët, që përveç të stiluar kombinohen me veshjen time me gurë metali. Sigurisht nëse do të shihni këngëtarët e tjerë ka kostume shumë të bukura në skenë, por yni ka një karakter të veçantë, gjë që e tha dhe Mirela (Nurçe) stilistja, fustani ynë ndoshta nuk është më i bukuri, por më i veçanti.

Po përsa i përket grupit që ju shoqëron? A ndiheni e sigurt me të, sa ju ka mbështetur ai?

Jam shumë e kënaqur pasi backvokalistët që këndojnë live me mua janë këngëtarë shumë të mirë, që kanë kënduar dhe me Anastasian. Janë shumë profesionistë dhe nuk ke frikë me ta në skenë, veshja e tyre është rock, përsëri me detaje shqiptare, shpresoj që kamera t'i fokusojë edhe ata. Pas meje kam rockerin, kitaristin më të mirë që kemi në Shqipëri, Bledar Sejko, dhe bateristin Emiljan Dhimo, të cilët janë marrë enkas për të më mbështetur mua me energjinë dhe interpretimin e tyre dhe mesa kam parë jam shumë e kënaqur deri më tani.

Aurela, gjatë këtyre ditëve keni pasur mundësinë t’i njihni edhe këngëtarët e tjerë, cila është përshtypja për ta?

Në radhë të parë është si një festë, kemi rreth 8 ditë këtu, që të gjithë festojnë, jemi bërë miq me njëri-tjetrin dhe është shumë e bukur, sepse shumë rrallë ndodh kjo mes artistëve. Takohemi çdo ditë me ta, të komplimentojnë, të urojnë fat dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi të gjithë duket se jemi miq me njëri-tjetrin. Festivali është i madh, pasi janë 43shtete në garë, është i rëndësishëm pasi gjithë Europa i ka sytë te ky event dhe për me tepër për 3 minuta ne shqiptarët i flasim gjithë Europës.

Po konkurrenca ndihet, vetë ju keni krijuar preferencë për ndonjë artist?

Ndoshta ngaqë në fillim fare u njoha me grupin turk dhe që në fillim më pëlqeu shumë kënga e tyre, më pëlqejnë dhe si karaktere djemtë e këtij grupi dhe djemtë grekë gjithashtu, ndoshta sepse jemi komshinj, nuk e di por më pëlqejnë këngët e tyre. Por gjithashtu edhe me këngëtaren bullgare bjelloruse apo edhe të San Marinos jo vetëm që kemi krijuar miqësi, por janë edhe artiste të mira.

Po për këngën tënde çfarë mund të thuash, cilat janë pretendimet e tua?

Për mua është kënga më me karakter.

Synon thjesht finalen apo edhe më tepër se kaq?

Sigurisht, së pari të jemi në finale, që për 6 minuta të na shohë Europa, shpresoj se e meritojmë të shihemi 6 minuta. Sigurisht që ka këngë të bukura, danc balada, por jona është ndryshe dhe besoj se Europiani ka nevojë për energjinë e këngës sonë. Nesër mbrëma kam nevojë për energjinë e mirë, që të ma japë Zoti dhe shpresoj në mbështetjen e shqiptarëve me energji, pasi me vota ata që jetojnë në Shqipëri nuk e bëjnë dot.

Bledi Sejko: Shqipëria, shpresoj në 5 vendet e para

Bledar Sejko, kitaristi i mrekullueshëm shqiptar, nuk e fsheh ambicien, por edhe ndjesinë që ka në këtë pjesëmarrje të Shqipërisë në Eurovizion. Sekjo, i cili shoqëron këngëtaren Aurela Gaçe në Eurovizion, në këngën “Feel the passion”, i ka parë tashmë këngët konkurruese dhe është mëse objektiv kur jep mendimin e tij. Në këtë intervistë të shkurtër ai ndan me ne emocionet që ka marrë nga ky kompeticion.

Bledi, si e përjetove performancën në skenën e Eurovizionit?

Është një emocion i veçantë, si gjithë emocionet e skenave, por sigurisht ky emocion është i pakrahasueshëm, skena është madhështore, njerëzit që marrin pjesë janë nga 43 vende dhe sigurisht të sheh dhe ndjek një audiencë shumë, shumë më e gjerë, e për mua më e madhja deri më tani.

Ju i keni parë këngët e tjera, si e sheh këngën shqiptare në këtë konkurrim?

Për mendimin tim, kënga e Aurela Gaçes duhet të dalë në finale, dhe unë personalisht shpresoj shumë se do jemi në pesë vendet e para!

Bledi, ju nuk keni qenë pjesë e festivalit në RTSh, ka qenë një surprizë pjesëmarrja në Eurovizion?

Sigurisht dhe jam kënaqur shumë që më zgjodhën dhe që jam pjesë e këtij grupi, e kësaj kënge dhe që shoqëroj një nga këngëtaret më të mira shqiptare në Eurovizion.

Si e pret natën e sotme, kur do të jetë edhe gjysmëfinalja dhe prezantimi ynë?

Me emocion, por unë dua t’u jap një mesazh shqiptarëve, që ne si grup po bëjmë të pamundurën që të shkojmë në finale dhe u them të gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë të na votojnë, të na votojnë. Shpresoj të jenë me ne këtë natë. Unë vetë kam emocione të mira dhe shumë gëzim, shpresoj që të gjithë të bashkohemi në këtë gëzim të muzikës shqiptare!

ILDA LUMANI

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›