E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia rrezikon një “Lehman Brother”

Ristrukturimi i borxhit të Greqisë është i dëshirueshëm dhe i pashmangshëm, pavarësisht këmbënguljes së Bashkimit Europian në këtë fundjavë, se kjo është një temë jashtë diskutimit. Por ristrukturimi njëkohësisht mund të shkaktojë infektim në të gjithë eurozonën. Në fakt, shumë flasin për mundësi të lartë të një “lëvizje të Lehman”, që nënkupton goditje kaq të forta sa të shkaktojë krizë bankare dhe efekte domino të falimenteve në të gjithë Europën. Frikërat janë të vërteta. Por ky duhet të jetë një shkak për të marrë mësime nga kriza e “Lehman Brothers”, në mënyrë që kur të ristrukturohet borxhi i Greqisë, pjesa tjetër në eurozonë t’i përballojë goditjet e këtij tërmeti. Zyrtarisht borxhet e Greqisë parashikohen të arrijnë në 159% të prodhimit të brendshëm bruto më 2012. Qëndrueshmëria e kësaj barre do të kërkojë masa shtrënguese të ekonomisë, kaq të forta sa vetë ekonomia do të dëmtohet për shumë vite.

Ky vend nuk do të ngelet pa para në terma afatshkurtër, pasi ka ndihmën 110 miliardë euro, por qeveria është e financuar deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të ketë nevojë shtesë për 27 miliardë euro në vitin 2012. Ministrat e financave të Europës po diskutojnë rrugëdaljet. Idetë rrotullohen te lehtësimi i kushteve të ndihmës dhe shtimi i sasisë së ndihmës. Por ka ende vend për një ristrukturim të hershëm të borxhit grek. Me çdo muaj që kalon, sa më shumë para të ndihmës financiare do të paguhen në duart e privatëve, do të ndihmojë të gjithë ata që dhanë borxh pa bërë mirë llogaritë dhe e gjitha kjo në kurriz të taksapaguesve të vendeve të tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›