Aurela Gaçe humbfinalen e Eurovizionit
TIRANE- Këngëtarja shqiptare Aurela Gaçe nuk ka mundur dot të fitojë të drejtën të shkojë në finalen e 'Eurosong'-ut. Konkurruese në këtë festival me këngën "Feel the passion", ajo mbrëmë mori pjesë në gjysmëfinalen e parë që u zhvillua në Dyseldorf të Gjermanisë. Nga 19 shtetet pjesëmarrëse në këtë gjysmëfinale, drejt finales shkuan 10 shtete, por në bazë të votave të dërguara në adresë të pjesëmarrësve, Gaçe me sa duket nuk ka mundur të mbledhë të duhurat që do t'i siguronin asaj vijimin e kësaj aventure dhe biletën për në finale. E megjithatë, ajo ka shpresuar deri në momentin e fundit, nga ku kamerat e kapën tek valëviste flamurin. Aurela Gaçe mbrëmë konkurroi e treta, pas Polonisë dhe Norvegjisë. Ajo u paraqit në skenë e veshur me fustanin në ngjyrë kremi që kishte të "vizatuar" shqiponjën. Menjëherë u vu re interpretimi i saj dinamik dhe shpërthyes që ndezi sallën e Festivalit Europian të këngës që mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë. Në skenë, gjatë kohës së interpretimit të saj viheshin re krahët e shqiponjës. Ato të jepnin idenë e një shqiponje në fluturim teksa dritat lëviznin. Me fillimin e interpretimit të këngës, skena mori ngjyrë rozë në të kuqe, e nëse në çastet e para dritat qendrore fokusonin vetëm Aurelën, me vijimin e interpretimit, dritat 'shfaqën' në skenë edhe pjesëtarët e tjerë të ekipit shoqërues të këngëtares. Modeli i saj i flokëve, ashtu si edhe ndriçimi jepnin idenë e shqiponjës, teksa në flokët e kuq të saj ishin vënë me kujdes rruaza të zeza, duke formuar kështu ngjyrat kuq e zi të flamurit shqiptar. Aurela tregoi edhe njëherë se është divë e muzikës sonë. E megjithëse interpretimi i saj qe i mrekullueshëm, pati disa momente që u duk sikur zëri i saj qe i ngjirur. Gaçe e këndoi këngën "Feel the passion" në gjuhën angleze, ndërsa një strofë të sajën e "transmetoi" në gjuhën shqipe, e pikërisht pjesën "Zot që zemrën ma ke falë…". Në fund të këngës ajo përshëndeti publikun në gjuhën shqipe duke thënë 'faleminderit' e më pas në gjuhën angleze, ku tha 'thank you'. Mbrëmë në gjysmëfinalen e parë konkurruan Polonia, Norvegjia, Armenia, Turqia, Serbia, Rusia, Zvicra, Gjeorgjia, Finlanda, Malta, San Marino, Kroacia, Islanda, Hungaria, Portugalia, Lituania, Azerbajxhani dhe Greqia. Nga këto shtete në finale shkuan Serbia, Lituania, Greqia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Zvicra, Hungaria, Finlanda, Rusia dhe Islanda. U vu re që konkurrenca qe mjaft e fortë. Por cilat qenë arsyet që Shqipëria nuk hyri dot në finale? Si një ndër to mund të llogaritet pikërisht kënga jonë. Edhe pse këngëtarja ka dhënë maksimumin, para se kënga të përgatitej në gjuhën angleze e në versionin e saj përfundimtar, personazhe të ndryshme ndonëse nuk dolën hapur, e kanë shprehur pesimizmin e tyre sa i takon asaj. Me sa duket, këtë herë problemi ishte tek kënga. Duhet thënë që prej vitesh është pikërisht këngëtarja Anjeza Shahini që ka pasur interpretimin më dinjitoz, që i siguroi vendit tonë edhe një renditje të mirë në listën përfundimtare të fituesve. Pas Shahinit, ndonëse shumica e këngëtarëve tanë e kanë çuar vendin në finale, asnjë nuk ka mundur të marrë as çmimet e para e as të renditet në dhjetëshen e parë. Urojmë që vitin që vjen të mos kemi të njëjtat rezultate.
(GSH/Balkanweb)
(GSH/Balkanweb)