Aurora Velaj: “Ringjallet” Tefik Sfiri
“Rigjallet” një nacionalist për të na treguar që historia që dimë për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri nuk është jo ajo që ka ndodhur në të vërtetë. Aurora Velaj, sjell në tregun e librit, botimin e saj të fundit “Ringjallja e Gjyshit”. Ai është Tefik Sfiri, një figurë nacionaliste shqiptare që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftë kundër armikut në zonën Mallakastër-Fier-Lushnje gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Sfiri është fshirë pothuajse fare nga kujtesa historike dhe është denigruar nga regjimi komunist, por ai vjen në këtë biografi me dinjitetin dhe vlerat e tij të vërteta. “Tefik Sfiri në kujtesën kolektive dhe në memorjen historike, thekson Velaj në këtë intervistë, duhet të mbahet mend së pari si një shqiptar, i cili pjesën më të madhe të viteve të jetës së tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare dhe çka është e rëndësishme, ai dha jetën për Shqipërinë.” Shumë luftra e beteja, mundime e sakrifica, kanë përshkruar rrugën e luftës së Tefik Sfirit, por fati e deshi që ai të ekzekutohej pas luftës nga Partia Komuniste, dhe të quhej “Armik i popullit”. Në këtë intervistë Aurora Velaj shpjegon ngjarje, data e personazhe të rëndësishëm të luftës të cilat kanë pasur lidhje direkte me Tefik Sfirin dhe organizatën e Ballit Kombëtar në atë zonë. Këto fakte hedhin poshtë përgënjeshtrimet e 50 viteve histori mashtruese, e cila për fat të keq po vazhdon të besohet edhe sot e kësaj dite. Gjithashtu në këtë intervistë do të mësoni ngjaje të rëndësishme të luftës të pabotuara ndonjëherë më parë si përshembull “Kur është krijuar çeta e parë shqiptare në Luftën e Dytë Botërore? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e vërteta mes Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste? Bashkëpunimet, mbledhjet, takimet dhe luftrat e përbashkëta mes Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste. “Ringjallja e gjyshit” është një botim i vërtetë historik, pasi aty pasqyrohen dhjetra dokumente zyratare të marra nga arkivat në Shqipëri e Gjermani, si dhe dorëshkrime autobiografike; intervista; fotografi e rrëfime nga personazhë të vërtetë të luftës.
Një promovim dinjitoz iu bë këtij libri më 17 Nëntor 2008, në Pallatin e Kongreseve brenda hapësirave të panairit të librit 2008. Shumë intelektualë, historianë, familjarë e të apasionuar të librit morën pjesë në këtë ceremoni. Disa media e ndoqën nga afër këtë aktivitet, por pothuajse asnjëra prej tyre nuk transmetoi si lajm. Pse ndodhi një gjë e tillë? Kjo gjë ndodhi për arsyen e thjeshtë, të cilën vetë autorja e kësaj vepre e servir në fund të librit të saj: “Në të vërtetë kohërat nuk kanë ndryshuar” në Shqipëri.
Përse është e rëndësishme për lexuesin biografia e Tefik Sfirit?
Në historinë e një populli, biografia e një udhëheqësi, e një figure politike e ushtarake, është po aq e rëndësishme sa ç’është në historinë ndërkombëtare, historia e një kombi. Po të mos e përfshish një komb në tërësinë e historisë së kombeve është njësoj sikur ta zhdukësh nga harta e globit, por një gjë e tillë është e pamundur. Për rrethana të caktuara, mund të ndodhë që të mos shkruhet për ca kohë, të transformohet, por jo që të mos eksiztojë. Kjo është e pamundur! Ashtu ndodh edhe me figurën e Tefik Sfirit. Rrjedhja e ngjarjeve historike deshi që Tefik Sfiri të ekzekutohej nga forcat e regjimit komunist, dhe si rrjedhojë të fshihej nga historia e Shqipërisë e gjithë veprimtaria e tij patriotike. Për fat të keq përgjatë lulëzimit komunist Tefik Sfiri është cilësuar si armik i popullit, por kjo nuk ka lidhje fare me të vërtetën historike. Historia e një kombi, e aq më tepër ajo e popullit shqiptar që është një ndër kombet më të vjetër në botë, nuk mund të përfaqësohet nga interpretimi historik që është bërë nga një regjim 50 vjeçar, e as nga ideologjia që mbretëroi përgjatë atyre viteve. Historia i kapërcen kufinjtë e çdo epoke a regjimi, ajo qëndron sipër tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me figurat historike të kombit, e njëjta gjë ndodh dhe me Tefik Sfirin. Interpretimi historik i ngjarjeve është gjykimi dhe vlerësimi i asaj çka ka ndodhur në të vërtetë, pa i vënë ngjyrime ideologjike e partiake. Nëse ndodh e kundëra atëherë kemi të bëjmë me çfarëdolloj gjëje tjetër që mund të ketë një emër, por vetëm histori nuk mund ta quajmë. Biografia e Tefik Sfirit nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i fakteve, dokumenteve, ngjarjeve, dëshmive të njerëzve që kanë jetuar dhe kanë luftuar me Tefik Sfirin. Kjo biografi është një përpjekje për të treguar lexuesve se kush ishte me të vërtetë Tefik Sfiri.
DH.H: Kush është në të vërtetë Tefik Sfiri?
A.V: -Tefik Sfiri në kujtesën kolektive dhe në memorjen historike duhet të mbahet mend së pari si një shqiptar, i cili pjesën më të madhe të viteve të jetës së tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare dhe çka është e rëndësishme, ai dha jetën për Shqipërinë. Së dyti, ai duhet të kujtohet si një udhëheqës dhe komandant i forcave të armatosura shqiptare që ka vepruar kryesisht në zonën Mallakastër-Fier-Lushnje, që ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në frontin e luftës. Tefik Sfiri ka qënë një nga ata patriotë, i cili ka marrë pushkën në krah dhe ka luftuar heroikisht që ditën kur Italia pushtoi vendin tonë, e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Luftrat e bëra prej tij janë të shumta: Lufta e Ruzhdijes 11-13 mars 1943; Lufta e Luarit, 18 qershor 1943; Lufta e Drenjies, 25 qershor 1943; Lufta e Gjinoqarit, Lufta e Qafës së Sfirit, Lufta e Graçanit, e shumë beteja të tjera të botuara në biografinë kushtuar tij. Pjesa më e madhe e këtyre betejave as që nuk dihen e as që janë shkruar ndonjëherë. Ndërsa ato pak të përmendurat janë trasformuar krejtësisht, ku natyrisht Tefik Sfiri është denigruar dhe siç ka ndodhur rëndom në historinë komuniste, është spekulluar e janë mbivlerësuar arritjet e komunistëve. Së treti, Tefik Sfiri ka luftuar me të gjitha fuqitë e tij njerëzore për një front të përbashkët shqiptar në luftë kundër armikut. Ai ishte një nacionalist dhe ballist i vendosur, por nga ana tjetër, ai ishte një tipik shqiptar që e karakterizonte toleranca dhe mirëkuptimi. Prandaj, shokët e tjerë të luftës, të cilët nuk ishin nacionalistë, ai i vlerësonte dhe i kishte po aq të dashur sa ata shokë me të cilët ndante ideologji të njëjtë. Për Tefik Sfirin, ideologjia në përgjigjësi, e sidomos në ato momente të vështira që gjendej Shqipëria, nuk përbënte problemin. Ai mendonte që të gjithë shqiptarët (pa dallim feje, krahine a ideje) të bashkuar në një front do t’i sillnin çlirimin Shqipërisë. Por realiteti nuk ndodhi ashtu, pasi e dimë që Partia Komuniste nën udhëzimet e misionarëve jugosllavë vepruan në kundërshtim të dëshirës së Tefik Sfirit, dhe të miliona shqiptarëveqë dëshironin bashkim. Ata luftuan egërsish të gjitha partitë e organizatat e tjera dhe kryesisht Ballin Kombëtar që ishte i fuqishëm dhe kishte të gjitha gjasat të dilte fitimtar pas luftës. Sfiri dhe të gjithë nacionalist e tjerë të Ballit Kombëtar donin bashkim e jo përçarje. Çdo përpjekje e tij për këtë qëllim është e dokumentuar në libër. Është e pamundur të përmend të gjitha përpjekjet në hapësirat e kësaj interviste, por po kujtoj disa prej tyre: Gjatë vitit 1939 -1942, Tefik Sfiri ka qenë themelues i grupit të rezistencës në zonën Mallakastër-Fier, dhe ky grup rezistence u krijua nga Sfiri, Abaz Omari e Veli Frashëri dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin nacionalistë. Në këtë grup rezistence ata me vetëdije të plotë kanë përfshirë edhe ata pak elementë komunistë si Myzafer Trebeshinën e Hasan Deshnicën. Në pranverën e vitit 1940, Tefik Sfiri ka qenë një ndër organizatorët kryesorë të çetës së parë shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, komandant i së cilës u caktua Mestan Ujaniku. (Krijimi i kësaj çete është një fakt i pabotuar më parë. Në historinë e Shqipërisë zyrtarisht si çeta e parë e krijuar në Shqipëri njihet çeta e Myslym Pezës, e cila është formuar gati një vit më pas, më 13 mars 1941)… Më 1942, Tefik Sfiri është themelues dhe komandant i çetës së Graçanit, ku merrnin pjesë elementë komunistë si Sokrat Bufi etj. Më 20 qershor 1942, është krijuar Këshilli i Përbashkët Nacionalisto-Komunist në Mallakastër dhe hapja e diskutimeve për organizimin e një çete të përbashkët me komandant Tefik Sfirin e komisar Mehmet Shehun. 28 nëntor 1942: në mbledhjen e quajtur “Beslidhja e Hekalit”, populli miratoi kijimin e çetës së përbashkët me Sfirin e Shehun si komandant e komisar. Dhe kështu vazhdon zinxhiri i përpjekjeve të tij deri në fund të luftës. Besoj se me aq sa përmenda, lexuesi do fillojë të çuditet, por ju siguroj që kjo është çka ka ndodhur në të vërtetë në atë kohë në Mallakastër e në përgjithësi në Shqipëri.
DH.H: Në librin tuaj keni përmendur shpesh figurën e Mehmet Shehun, madje bëni një krahasim të vazhdueshëm mes figurës së këtij të fundit me atë të Tefik Sfirit. Pse e bëni një gjë të tillë?
A.V: -Nuk jam unë që po vendos këto figura ballë për ballë, në të vërtetë Tefik Sfirit dhe Mehmet Shehut kanë qëndruar ballë për ballë njëri-tjetrit në mënyrë të vazhdueshme gjatë luftës dhe kjo është shpjeguar me detaje në libër. Sfiri e Shehu në fillim u duk se do luftonin krah për krah dhe këtë e dëshmon edhe çeta e përbashkët që u miratua në mbledhjen e 20 qershorit 1942 dhe më pas më 28 nëntor 1942 në “Mbledhjen e Hekalit”, ku komanant u caktua Tefik Sfriri e komisar Mehmet Shehu. Nëse do kishte eksiztuar kjo çetë, atëherë neve tani nuk do të diskutonim për ekzekutimin e Tefik Sfirit dhe padrejtësitë që i janë atij dhe gjithë figurave nacionaliste në përgjithësi nga komunistët. Por, në histori nuk ekziston fjala nëse. Fakti tregoi që Mehmet Shehu, i udhëhequr nga Dushan Mugosha, krijoi në befasi çetën komuniste më 4 shkurt. Me një llogjikë të thjeshtë kjo tregon që krijimi i kësaj çete me ideologji komuniste dhe krijuesit e saj, Mehmet Shehu e Dushan Mugosha nuk kishin si qëllim kryesor luftën kundër armikut, por luftën ideologjike (e cila do të shfaqej më pas shumë hapur nga ana e komunistëve) dhe qëllimi i dytë që në fakt është kryesori ishte fuqizimi politik dhe fitimi i pushtetit. Jo vetëm Tefik Sfiri, por të gjithë patriotët dhe populli i Mallakastrës u ndien të tradhëtuar nga komisari i çetës që kishin miratuar unanimisht. E megjithatë lufta duhej vazhduar, prandaj dhe Tefik Sfiri së bashku me shumë nacionalistë intelektualë e luftëtarë patriotë krijuan më 19 shkurt çetën nacionaliste të Mallakastrës, e cila kishte si qëllim të vetëm luftën kundër okupatorit. Që nga ky moment, Sfiri e Shehu do të qëndrojnë ballë për ballë njëri tjetrit si një duet i shpallur, por i pashkrepur përgjatë gjithë luftës e deri në përfundim të saj.
DH.H: Si mund të përkufizosh luftën e bërë në Mallakstër gjatë asaj periudhe?
A.V: -Shqipëria në ato kohëra të nxehta lufte po ziente nga të gjitha anët, i gjithë populli shqiptar i ngritur në këmbë po luftonte heroikisht armikun. Mallakastra në këtë luftë të madhe ka dhënë një kontribut të shkëlqyer. Ky libër mund të quhet edhe biografia e Mallakastrës, sepse në brendësi të faqeve të tij ju do të lexoni jo vetëm se cili ka qenë Tefik Sfiri, por edhe se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Mallakastër gjatë asaj periudhe, dhe se cila ka qënë lufta e vërtetë më të gjitha ngjyrat e saj. Aty gjithashtu jepen me detaje shumë luftëra dhe mbledhje e takime që Balli Kombëtar ka bërë gjatë asaj periudhe në Mallakstër. Më kujtohet, një nga njerëzit e parë që i ka rënë në dorë “Ringjallja e Gjyshit”. Takohemi një ditë pasi e kishte lexuar librin dhe më pyet me mosbesim: “Pse vetëm Mallakstra paska luftuar sipas teje? Të tjerët nuk kanë luftuar fare? Kështu siç e ke paraqitur ti luftën në Mallakstër i bie që vetëm aty është luftuar.” Unë i buzëqesha dhe ju përgjigja: “Nëse historianët do të shkruajnë luftën e vërtetë që kanë bërë shqiptarët në të gjitha krahinat e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu siç është pasqyruar lufta që është bërë në Mallakastër në këtë libër, atëherë Shqipëria është një Mallakastër e madhe.” Ky është i vetmi përkufizim që mund t’i bëj luftës së Mallakastrës.
DH.H: Në librit tuaj, por edhe gjatë kësaj interviste juve nuk e keni përkufizuar luftën e bërë gjatë asaj periudhe me termin zyrtar “Lufta Nacional Çlirimtare”, por e quani Lufta e Dytë Dotërore në Shqipëri. Pse e keni bërë këtë ndryshim? Mos është i qëllimshëm?
Kësaj pse-je interesante mund t’i përgjigjem vetëm me një PO me gërma kapitale. Po është e vërtetë që ky ndryshim terminologjik është i qëllimshëm. Arësyeja se pse e kam bërë këtë shjegohet anembanë biografisë që kam shkruar. Edhe sikur ende të mos jetë shkruar e vërteta e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ky term është krejtësisht i gabuar dhe kyekëput ideologjik, që tegon hapur se asgjë nuk ka ndryshuar që nga koha e regjimit komunist, megjithëse kanë kaluar gati dy dekada nga rënia tij. Të përkufizosh luftën e një populli me një term ideologjik, cilado qoftë kjo ideologji, nuk është aspak seriose dhe aspak e mençur, aq më tepër që shqiptarët tani po jetojnë në një regjim jo totalitar. A është e mundur që një popull të jetë komunist a fashist a çfarëdo lloj ideologjie tjetër? Kjo nuk është e vërtetë për asnjë popull në botë, ashtu sikurse nuk është e vërtetë edhe për popullin shqiptar. Por, nga ana tjetër ngjajet dhe dokumentet asaj periudhe tregojnë se luftën në Shqipëri nuk e kanë bërë komunistët, por e kanë bërë shqiptarët e të gjitha rrymave e partive ideologjike që kanë ekzistuar në atë kohë duke përfshirë këtu Ballin Kombëtar, Partinë Komuniste, Partinë e Legalitetit, Partinë Social-Demokrate, e shumë parti e organizata të tjera që mund të mos ishin aq të pushtetshme sa këto të latpërmendurat, por që të gjitha së bashku kanë vepruar kush më shumë kush më pak në qëllimin e çlirimit të vendit nga okupatori. Në fillim të luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e të gjitha ideologjive ishin të bashkuar, por më pas me agresivitetin për pushtet dhe politikën antikombëtare të Partisë Komuniste, marrëdhëniet ndryshuan si rrjedhojë ndodhi ndarja mes ideologjive, e cila më pas u pasua me një luftë të vërtetë civile.
DH.H: Çfarë mund të thoni për Ballit Kombëtar dhe politikën e kësaj organizate?
A.V: -Balli Kombëtar ishte një organizatë mbarëshqiptare që u formua nga intelektualë të shquar të Shqipërisë. Me krijimin e kësaj organizate këta njerëz të mençur dhe patriotë kishin si qëllim kryesor mobilizimin e popullin shqiptar në një front të vetëm për çlirimin e atdheut. Por jo vetëm kaq, ata donin gjithashtu të luftonin për bashkimin e trojeve shqiptare (Kosovë e Çamëri) të shkëputura padrejtësësht nga Shqipëria, duke krijuar kështu një imazh të një Shqipërie demokratike në të ardhmen. Me një politikë të tillë, cili ishte ai shqiptar që nuk do e mbështeste këtë organizatë? Dhe e vërteta është që Balli Kombëtar, ndryshe nga ç’është përrallisur deri me tani në historinë gënjeshtër të Shqipërisë, ka qenë organizata më e fuqishme, dhe ka qëndruar e tillë deri në fund të luftës, por ngjajet politike të brendëshme (dihet që komunistët i kishin shpallur luftë të hapur) dhe politika ndërkombëtare (e cila nuk e mbështeti nacionalizmën shqiptare) solli si pasojë “humbjen” e pushtetit, po jo luftën. Balli Kombëtar ishte fitimtar në luftën kundër armikut, por humbi pushtetin sepse këtë pushtet e morën me të gjitha mënyrat komunistët. Me humbjej e Ballit Kombëtar humbi i gjithë populli shqiptar dhe pasojat i dimë të gjithë sepse i kemi hequr mbi kurriz.. Të ishin bërë vërtet realitet dhjetë pikat e paraqitura në Dekalogun e Ballit Kombëtar, Shqipëria do të kishte tjetër imazh, dhe shqiptarët nuk do të kishin përjetuar diktaturën komuniste. Pra, Balli Kombëtar kishte një vision politik shumë të përparuar për kohën, sepse të tillë ishin edhe njerëzit që e krijuan këtë organizatë. Por cili është imazhi i Ballit Kombëtar në ditët që po jetojmë? Balli Kombëtar shikohet dhe vlerësohet nga njerëzit me po atë gjykim që i është bërë nga mashtruesit e historisë komuniste gjatë 50 viteve të diktaturës. Gjatë këtij gjysëm shekulli nuk është bërë gjë tjetër vetëm I është hedhur hi në sytë e shqipatarëve që të mos shokin çka ka ndodhur në të vërtetë gjatë luftës. Në Shqipëri ende nuk po bëhet punë serioze për të servirur të vërtetën mbi Ballin Kombëtar dhe në përgjithësi mbi luftën që është bërë nga kjo organizatë. Si pasojë njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë e të mendojnë në mënyrë të gabuar për këtë organizatë dhe figurat e ndritura që kanë përfaqësuar këtë organizatë deri sa të fillojnë të dëgjojnë ose lexojnë ndryshe.
Çfarë të shtyu të shkruaje një libër për Tefik Sfirin?
Historia e këtij libri i ka fillesat shumë herët, që me fëmijërinë time. Atëherë mund të kemë qenë 9 ose 10 vjeç. Nuk më kujtohet data e saktë, por e di që si ngjarje ka ndodhur pikërisht në periudhën kur Enver Hoxha botoi librin “Rreziku Anglo- Amerikan në Shqipëri” Në atë kohë ne si famije jetonim në Shënkoll të Lezhës, pikërisht aty ku po vuanim persekutimin nga rregjimi komunist. Prindërit e mi janë munduar gjithmonë të tregohen të kujdesshëm me ne fëmijët, që të mos reflektonin asnjëherë çfarë në të vërtetë vuanin ditë e natë. Dhe ashtu ka ndodhur vërtetet, përveçse asaj mbasditeje që nuk do e harroj kurrë. Atë mbasdite, prindërit e mi ishin ulur përballë njëri-tjetrit në dhomën e ndenjes dhe po bisedonin mbi gjëra që nuk i kisha dëgjuar më parë. Së bashku me motrën timë të madhe Ledën filluam të afroheshim e të dëgjonim më nga afër, por pa u futur në dhomë. Ata po përmendnin emra si: Enver Hoxha, gjenerali amerikan…pastaj emrin e gjyshit Tefik Sfirit… U futa në dhomë. Nuk i kisha parë asnjëherë më parë prindërit e mi kaq të shqetësuar. Shikonin njëri-tjetrin sikur shikonin vdekjen me sy, dhe mbi tavolinë qëndronte një libër. Kur më panë filluan të buzëqeshnin. Ju afrova tavolinës dhe mora librin në dorë. Lexova në fillim autorin: Enver Hoxha. U çudita se si ka mundësi që në shtëpinë tonë paskemi një vepër të Enver Hoxhës. Duke lexuar emrin e Enver Hoxhës në fillim thashë me vete: “Ja edhe ne do kemi veprat e Enverit si gjithë të tjerët dhe mu kujtuan shtëpitë e shokëve e shoqeve të mija, të cilët kishin të gjithë veprat e tij. Pastaj pata një moment shtangje. Diçka kuptova që po ndodh, por nuk dija se çfarë. Më pas lexova titullin “Rreziku anglo-amerikan”. Pastaj u largova dhe ndërkohë prindërit e mi e vazhduan bisedën. Unë me motrën po dëgjonim gjithçka. Për herë të parë po kuptoja se çfarë po ndodhte. (Sikurse e kam shpjeguar edhe në brendësi të biografisë së T. Sfirit, në këtë libër, Enver Hoxha gjatë një bisede që ka pasur me Shefin e Misionit Anglez, z. Filip Lik (Philip Leake) në maj të 1944. Ky i fundit i ka kërkuar E. Hoxhës të takohet me Tefik Sfirin, pasi donte të raportonte qeverisë së tij të vërtetën mbi Ballin Kombëtar. Enver Hoxha sipas asaj që ka botuar në librin e tij i është përgjigjur se Tefik Sfiri është armik i popullit shqiptar). Pas një heshtje të gjatë sikur të kishin rënë bombat, babi e pyeti mamin: “Si do vejë halli? Unë kam hallin e fëmijëve!” Të shtangura u larguam nga dera e dhomës dhe të dyja motrat shumë të shqetësuara nuk dinim çtë bënim që të mund të ndihmonim prindërit tanë. Pas asaj dite shumë gjëra tronditëse i ndodhën familjes sonë, ndërsa ai libër ka qëndruar për ca kohë në biblotekën e shtëpisë. Pasi kuptova situatën dhe po përjetoja vetë se çfarë pasojash na solli ai libër në shtëpinë tonë, unë disa ditë më vonë e mora nga bibloteka, dhe kam lexuar me kujdes vetëm nënshkrimet që kishin bërë prindërit e mi në faqet ku përmendej gjyshi. Duke mos pasur asnjë mundësi të ndihmoj prindërit e mi të ndodhur në atë situatë aq të vështirë dhe duke ditur prej tyre që gjyshi im kishte bërë një vepër të mirë, e jo të keqe siç shkruhej në ato rreshta, e mbylla librin dhe i bëra vetes një betim që kur të rritem do të shkruaj një libër për gjyshin. Që nga ajo ditë ai libër është futur në kutinë e gjërave të mija personale dhe ka qëndruar atje derisa vendosa të shkruaj librin për gjyshin tim.
DH.H: Ju tani jetoni në Vankuver të Kandasë. Me çfarë po merreni konkretisht atje?
A.V: -Krahas shkollës që po vazhdoj dhe përgjegjësive familjare, unë jam e angazhuar dhe me “Shoqërinë Shqiptare të British Kolumbias”, si anëtare e Këshillit Drejtues dhe si përfaqësuese e marrëdhënieve me shtypin. Kjo shoqëri është krijuar që prej dy vjetësh dhe përbëhet nga kryetari, Estref Resuli, nënkryetari, Edison Heba dhe shtatë anëtarë të tjerë që përbëjnë Këshillin Drejtues. Të gjithë këta punojnë në mënyrë vullnetare, megjithatë në aktivitetet e shoqërisë sonë japin kotribut shembullor në organizimin me sukse të aktiteteve edhe anëtarë të thjeshtë të shoqërisë. Misioni i shoqërisë është organizimi, bashkimi dhe forcimi i frymës vllazërore midis anëtarëve të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në B.C. Ruatja e traditave kombëtare, kulturore. Kultivimi dhe forcimi i marrëdhëniëve miqësore të ndihmës dhe bashkëpunimit midis popullit shqiptar dhe atij kanadez, ndihma dhe përkrahja e emigrantëve të rinj në B.C. Me përkushtimin e devotshmërinë e treguar nga të gjithë shqiptarët e British Kolumbias, kryesisht të Vakuverit dhe Vankuver Mainland, kjo shoqëri po forcohet gjithmonë e më shumë duke dhënë kështu një imazh të mirë të shqiptarëve në komunitetin e madh multietnik të British Kolumbias.