E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi: 10% e popullatës konsumon 35% të totalit, varfërohen të varfrit

Nga Fitim Zekthi

Pjesa e pasur e popullatës në Shqipëri e ka thelluar diferencën me pjesën e varfër gjatë tre muajve të tretë të këtij viti krahasuar me tre muajt e dytë. Të dhëna zyrtare nga INSTAT bëjnë me dije se mbi 35 % e konsumit në vend kryhet nga më pak se 10 % e popullsisë dhe pjesa tjetër e popullatës konsumon rreth 65 % të totalit të konsumit. Në tremujorin e dytë të këtij viti INSTAT tha se konsumi i pjesës së pasur të popullsisë ishte 30 % e totalit. Pra, në tremujorin e tretë ka patur një rritje të konsumit për shtresën që konsumonte 30 % të totalit të konsumit. Kjo ka bërë që 90 % e popullsisë të konsumojë në tremujorin e tretë 5 pikë përqindjeje më pak sesa ajo ka konsumuar në tremujorin e dytë. Arsyet pse ka thellim të kësaj diference në konsum kanë të bëjnë qartazi me faktin se pjesa më e madhe, 90%, e popullatës ka ardhur duke e humbur gjithnjë e më shumë fuqinë e saj blerëse. Numri i të punësuarve në vend është aq sa ishte para katër vjetëve dhe pagat në sektorin privat janë po ato, ndërsa kostoja e jetës është rritur të paktën me 20 %. Qeveria është kujdesur që të rriten pagat në sektorin shtetëror, paga, të cilat realisht kanë pësuar një rritje, e cila e ka përballuar rritjen e çmimeve ose, e thënë ndryshe, shtrenjtimin e jetës. Kahja e trajektores së konsumit për shtresën e madhe prej 90 % të popullatës është drejt thellimit të këtij hendeku. INSTAT tregon se me përjashtim të Tiranës dhe të Durrësit, ku niveli i konsumit ka qenë në nivelet e tremujorit të dytë ose shumë pak më i ulët, në rajone të tjera të vendit konsumi ka rënë. Gjithashtu, sasia e parave që shpenzojnë familjet në zonën veriore dhe lindore të vendit është shumë më e vogël sesa kjo sasi parash është në Tiranë-Durrës. Edhe zona e jugut të vendit shpenzon rreth dy herë më pak se sa shpenzon një familje mesatarisht në Tiranë. Kjo nuk do të thotë thjesht se kostoja e jetës në Tiranë është më e shtrenjtë, por edhe se fuqia blerëse e familjeve shqiptare në këto zona të vendit është në rënie. Tirana vazhdon të ruajë ritëm të njëjtë të konsumit, edhe për shkak të faktit që shumica e familjeve që përbëjnë 10% të popullatës, që shpenzon 35% të totalit të konsumit, gjenden këtu, në këtë qytet. Të dhënat bëjnë më të dukshëm faktin që rritja ekonomike e vendit në shifrat e 6 % shkon më së shumti në përftim të një kategorie shumë të vogël familjesh në Shqipëri. Kjo rritje shkon dhe përfitohet vetëm nga 10% e popullatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›