Jozefina, debat nga Londra me Flamurin
Antena brenda familjes
Pas kthimit të Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës, Flamuri mori udhëzimet e reja për nisjen e sulmit ndaj tij. Në fakt, udhëzimet e para kishte një javë që i kishte marrë dhe i kishte përcjellë. Duhet të krijohej bindja se çdo vendim që të marrë gjykata për Fazlliçin, Bashën dhe Gërdecin, ishte i diktuar nga Bamiri. Skema filloi të funksionojë, por po kuptohej qartë se intervistat ishin me porosi. Madje ndodhi dhe gallata, se në dy intervista kishte të njëjtën shprehje, që “këto gjëra gatuhen në zyrat e presidentit”.
Rasti i kthimit të dekretit ishte më i mirë. Se tani mbulohej arsyeja e vërtetë dhe merrej shkas nga kthimi i Kodit. Porosi e parë që mori ishte që dikush të thoshte që “presidenti përfaqëson të vegjlit”. Po mendohej Flamuri kujt t’ia jepte këtë batutë, por s’po e gjente. I erdhi në mend Aldo që thotë çdo gjë, por s’dukej serioze. Pastaj i shkoi mendja te Ridvani, po ai s’para përzihet. Në fund e vendosi t’ia jepte Enkelejd Alibeajt. Ai e thotë, se është dhe i Drejtësisë. Ashtu u bë. E mori Alibeajn dhe ia dha udhëzimin. Alibeaj, i kënaqur, tha se do ta bënte në disa televizione.
Pas gjysmë ore bie zilja. Ishte prapë Alibeaj.
- E tha Jozefina, - tha. - Mos na i jepni tekstet e njëjta, se na turpëruat.
- Jo, - tha Flamuri. - Unë ta kam dhënë vetëm ty. Ia kam thënë dhe atij burrit në fakt. Dhe ai nga qejfi mund t’ia ketë thënë Jozefinës... Ke të drejtë. S’do përsëritet më. Nuk i tregoj më asgjë atij burrit, se ai s’mban gjë.
Mbylli telefonin me Alibeajn dhe mori Jozefinën.
- Të pashë në televizor, - i tha Flamuri, që donte të mësonte me takt kush ia kishte thënë atë fjalinë.
- E mor Flamur, a më pe si isha ba si Ledi D me at’ kapele, - tha Jozefina.
- Po moj po, të pashë. E mirë ishe bërë. Dhe të fortë e the atë fjalinë kundër këtij presidentit. Ma more nga goja, se kam dashtë me u thënë këtyre deputetve këtu me e thënë.
- Si mor me ua thënë atyne?! Po unë ç’të thosha masanej apo me u ba gazi i botës. E ka gabim ai burri që flet dhe me mua, dhe me ty për këto gjana.
- Të drejtë ke, por ai mendon se ne i rakordojmë gjërat. Dhe mua nuk ma mban t’i them që ti nuk më pyet. Se kuptohet, nuk dua t’i ankohem.
- Si mor, me të pyetë ty?! A nuk asht boll që po e pyes dhe atë. ǒasht mor kjo parti që punën e burrave e bajnë grat dhe punën e grave e bajnë burrat. Atë holandezin duhet me e mbrojtë unë, atë boshnjakun që i ka krejt të dashunit burra duhet me e mbrojtë unë, dhe këtë president duhet me e sulmu po unë. E ju, për çfarë jeni ju aty? Një groshë nuk vleni.
- Të drejtë ke, - i tha Flamuri. - Ia kam thënë dhe atij burrit, po nuk më dëgjon. Sa herë i them për këtë sektin e Holandës në PD, më ndërron bisedën. Po puna është si t’i biem fort presidentit, se po shkon puna në gjyq dhe mund ta hamë.
- Me thanë të drejtën më bëhet boll qejfi me i pa krejt në burg këta Fazlliça e dobiça që na ka sjellë ai burri në parti. Por s’du me i fut në burg Bamiri, kam dashtë me i futë vetë me duart e mia. Ndaj duhet me i ra Bamirit. Se ka me u ba hero me këto që po ban. Ka me na lënë me Fazlliça e dobiça ne. Ke me e pa sa keq kemi për t’u katandis duke mbrojtë këta Fatmira e Fazlliça, e dobiça.
- Mos e sha shumë Fazlliçin, se mos të vjen e të takon aty, se në Londër e ke...
- M’u me më taku ai legen. Le ta marr ai burri në Kuvend të Shqipnisë, se këtu s’e qas njeri në Kuvend të Londrës.
- Po si po të presin aty, mirë? - i tha Flamuri.
- Shkëlqyeshëm. Qysh në aeroport na kan prit do gra shqiptare. Njëna m’u turr, më tha: “Çfarë don ti që vjen këtu pa Edi Ramën?” Unë s’i fola në fillim, por po kqyrsha ku donte me dal. Kur e pash që ishte socialiste, i thashë i kena nda punët. Atë e kam lënë në Tiranë me u kujdes për Kodin, unë kam ardh te Mbretnesha për ligjet që miratohen në prani të saj. Mbasadaj u hodhën dy gra të tjera që e ndalën atë grun e më thanë që “ne jena me ty, s’jena me Ramën.”
- S’ka problem, i thashë, bashkë jemi të tërë për një qëllim, veç ky presidenti na ka dal kundër, s’dina çka me i ba. S’kena probleme me opozitën, moj motër, i thashë, e kena me tonët, që na i zgjedh njaj burri dhe na vë ne grat t’i luftojmë.