E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australi/ Zulohet në tjetër barkë me klandestinë

Një anije e flotës australiane ka zbuluar një barkë të dytë me dhjetëra emigrantë të paligjshëm në bord pranë brigjeve veriore të Australisë, pasi vetëm disa orë më parë kishte shpëtuar një barkë tjetër klandestinësh në të njëjtën zonë, deklaroi sot një ministër.
Anijet e zbuluara sot transportonin më shumë se 150 persona, duke ndezur sërish një debat politik në Australi, ku opozita konservatore akuzon qeverinë për dështim "në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore".
Ministri i Punëve të Brendshme, Brendan O'Connor deklaroi se 68 persona mendohet se janë gjetur në bordin e barkës së dytë, përfshi edhe tre anëtarë të ekuipazhit.
Barka e dytë u zbulua pranë ishullit verior Ashmore duke e çuar në 31 numrin e barkave me klandestinë që kanë mbërritur në Australi vetëm gjatë këtij viti, sipas opozitës. Qindra azil-kërkues, kryesisht nga rajone dhe vende të trazuara si Iraku, Afganistani dhe Sri Lanka, kanë mbërritur në Australi gjatë këtij viti.
Trafiku i qenieve njerëzore është një çështje shumë e ndjeshme politike në Australi dhe opozirta konservatore ka akuzuar qeverinë për qëndrim liberal ndaj këtij problemi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›