E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon seria e fitoreve për Tottenhamin

Manchester Unitedi e ka ndalur hovin pozitiv të Tottenham Hotspur, duke e mposhtur në stadiumin White Hart Lane me rezultat prej 3-1.
Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e parë të ndeshjes me golin e Jermain Defoe, mirëpo ky gol ishte gjithçka që ata shfaqën në këtë takim.
Kampioni në fuqi i Premier Ligës barazoi rezultatin me anë të veteranit Ryan Giggs (25'), ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (41') mysafirët kaluan në epërsi me golin e Anderson.
Edhe pse nga minuta e 59-të Djajtë e Kuq mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Paul Scholes u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, ata jo vetëm që mbrojtën rezultatin por arritën të shënojnë sërish.
Rezultatin përfundimtar në ndeshje e vendosi sulmuesi anglez Wayne Rooney, i cili shënoi golin e tretë për Manchesterin (78').
Me këtë fitore United pozicionohet në vendin e dytë me pikë të barabarta me rivalin e qytetit Manchester City dhe Tottenham Hotspur, ndërsa ka tre pikë më pak se vendi i parë të cilin e mban Chelsea.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›