E Diel, 1 Nëntor 2026

Australi, kryeministrja shpëton “paq” nga protestuesit

Një grup protestuesish të inatosur kanë bllokuar Kryeministren australiane Julia Gillard dhe liderin e opozitës Tony Abbott, të cilët kanë mundur të kalojnë vetëm falë truprojave dhe policisë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave rreth 40 policë shoqëruan Gillard dhe Abbott nga një restorant i qytetit të Kanberrës, pasi ai u rrethua nga rreth 200 mbështetës të së ashtuquajturës Ambasada e Vendasve.

Ka qenë Abbott që fillimisht ka acaruar protestuesit, me një deklaratë se kishte ardhur koha që të mbyllnin kampin e tyre me cadra, që shënon plot 40 vjet nga ngritja.

Kampi në fjalë, i njohur ndryshe si ambasada prej tendash, u ngrit në vitin 1972 nga katër persona, në shenjë proteste ndaj refuzimit të kryeministrit të atëhershëm për të njohur të drejtat e banorëve indigjenë.

Dy politikanët ishin atje për të marrë pjesë në një ceremoni ku u nderuan me medalje personat që kishin ndihmuar komunitetet gjatë fatkeqësive natyrore, si zjarreve të vitit 2009 në Viktoria dhe përmbytjeve të viteve 2010 dhe 2011 në Kuinslend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›