Australi, rrezikohen dy qytete nga zjarri
Vatra të mëdha zjarri rrezikojnë të përfshijnë shumë shtëpi në Melburn të Asutralisë si dhe një shkollë në Sidnei. Një gjë e tillë favorizohet së tepërmi edhe nga kushtet atmosferike, me mot të thatë e të nxehtë. Në të dy këto qytete, temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Flakët e zjarrit kanë djegur rreth pesë hektarë tokë në një zonë të populluar në jug të qytetit, por më pas më shumë se 100 zjarrfikës kanë mundur të venë nën kontroll situatën edhe falë mjeteve ujëhedhëse. Mediat lokale informojnë se zjarret u janë afruar në një distancë prej më pak se 100 metrash nga një rezidenciale banesash. Banorët përreth janë evakuuar menjeherë nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq edhe në Sidnei ekipet e ndihmës po përpiqen të mos lejojnë përhapjen e tre zjarreve, një në veri të qytetit, dhe dy të tjerë në perëndim. Një nga vatrat e zjarrit i është afruar shumë një shtëpi ndërsa zjarri i dytë ka kërcënuar godinën e një shkolle. Besohet se zjarret në Sidnei mund të kenë patur si shkak një cigare dhe mund të jenë vënë qëllimisht, bëjnë të ditur autoritetet vendase. Sipas stacioneve meteorologjike parashikojnë se kushtet atmosferike me temperatura të larta mund të vazhdojnë edhe gjatë javës.