E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australia nuk pranon ekstradimin e "Kapitenit Dragan"

Dragan Vasiljoviç, i njohur edhe me emrin "Kapiteni Dragan", është arrestuar në Australi në janar të vitit 2006 pas një kërkese zyrtare për ekstradim të bërë nga autoritetet kroate. Dragan Vasiljoviç kishte filluar një procedurë gjyqësore për të qëndruar në Australi, dhe gjykata qendrore e Sidneit ishte shprehur në prill të vitit 2007 se ish-ushtaraku serb mund të kthehej në Republikën e Kroacisë.
     
Gjykata Federale australiane kundërshtoi në apel kërkesën për ekstradim, duke u shprehur se ekzistojnë "motive serioze për të menduar se ai do të ndëshkohet ose burgoset për shkak të kombësisë së tij ose të opinioneve të tij politike". Gjykata urdhëroi gjithashtu lirimin e tij.
     
Vasiljoviç jeton në Australi që prej vitit 1969, por ai ishte larguar përkohësisht nga vendi për të luftuar në Ballkan në fillim të viteve 1990. Ai akuzohet nga drejtësia kroate për mizori të kryera gjatë luftës në ish-Jugosllavi. Mendohet që ai të ketë marrë pjesë gjithashtu në torturat dhe vrasjen e civilëve kroatë dhe të të burgosurve të luftës në bastionin serb Knin në vitin 1991 dhe në fshatin Bruska (në jug) në vitin 1993.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›