Australi,bomba uji për shuarjen e zjarrit

Australia ka përdorur bomba uji nëpërmjet aeroplanëve për të shuar zjarret që kanë përfshirë pyjet dhe shtëpitë në jug të vendit. Zjarret janë shkaktuar nga temperaturat e larta, që cilësohen nga mediat si vala e të nxehtit që ndodh një herë në shekull. Temperaturat në zonat e prekura nga zjarret dhe thatësira arrijnë në 47 gradë celcius. Temperaturat e larta janë diçka e zakonshme në Australi në këtë periudhë, por zjarret e shkaktuara këtë vit janë më të mëdhënjtë që do të mbeten gjatë në kujtesën e banorëve vendas. Autoritetet australiane kanë deklaruar se qindra vatra zjarri janë përhapur në pjesën e mbipopulluar të juglindjes së vendit. Teksa temperaturat në Melburn kanë arritur në 45 gradë celcius, një zjarr gjigand ka goditur pjesën lindore të qytetit, duke djegur më shumë se 160 hektarë parqe. Mesazhe urgjente për kërcënimet e zjarreve iu janë shpërndarë banorëve të komunitetit lokal që të përgatiten për vatra të reja zjarri. Zjarrfikësit australianë kanë këshilluar banorët që të qëndrojnë të mbrojtur në shtëpitë e tyre, teksa shumica e shtëpive janë dëmtuar jo nga zjarret aktuale, por nga shkrumbimi i çative nga i nxehti i madh. Evakuimi i popullsisë është drejtimi i fundit dhe zjarrfikësit po i këshillojnë një pjesë të banorëve që të largohen përpara se të afrohen zjarret. Dhjetëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në tre shtete të vendit, ndërsa autoritetet në Viktoria paralajmërojnë se kushtet mund të përkeqsohen edhe më shumë se ato të vitit 1983, kur humbën jetën 75 persona.