E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austriakët e “VERBUND” projekt-kompani për HEC-in

Në shtator 2008 “Verbund” fitoi koncesionin për ndërtim dhe funksionim në 35 vjet të HEC-it që do të ndërtohet në Ashtë. Duke krijuar vende të reja pune, HEC-i do të sjellë gjithashtu, një nxitje pozitive për zonën dhe vendin në tërësi 

TIRANE-Verbund”, kompani lider e energjetikës në Austri dhe ndër ofruesit më të mirë të shërbimeve të elektricitetit në Evropë, shpalli themelimin e projekt-kompanisë “Energji Ashta shpk”. Kjo kompani synon planifikimin, ndërtimin dhe drejtimin e hidrocentralit të Ashtës, në afërsi të Shkodrës. Në shtator 2008 “Verbund” fitoi koncesionin për ndërtim dhe funksionim në 35 vjet të HEC-it që do të ndërtohet në Ashtë. Pas vënies në punë, HEC-i do të furnizojë me energji elektrike më shumë se 100.000 konsumatorë në vend. HEC-i i Ashtës është i fundit në kaskadën e Drinit dhe është i vendosur nën rrjedhën ujore të Vaut të Dejës. Aktualisht, pjesa më e madhe e ujërave rrjedhëse mbi Spatharë kthehen sërish në lumin Drin, pa e shfrytëzuar energjinë e tyre. HEC-i i Ashtës do ta shndërrojë këtë fuqi të pashfrytëzuar në energji elektrike, miqësore ndaj mjedisit, duke përdorur teknologjinë më të re dhe të sofistikuar, StrafloMatrix TM, me dy seri, nga 45 njësi turbina. Kapaciteti vjetor i prodhimit do të jetë 230 milionë kilovatorë. Duke krijuar vende të reja pune, HEC-i do të sjellë gjithashtu, një nxitje pozitive për zonën dhe vendin në tërësi e, në të njëjtën kohë, do të përmirësojë situatën e furnizimit me energji në vend, duke reduktuar vartësinë nga importi të energjisë; të gjitha këto me ndikim minimal në mjedis. Në përfundim të periudhës koncesionare, HEC-i do t’i dorëzohet Republikës së Shqipërisë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›