Autizmi, Shqipëria i bashkohet nismës botërore

Gjatë aktivitetit të djeshëm
Aktiviteti i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë mbledh trupën diplomatike.
Ndriçoje krejt blu për më shumë sensibilizim.
Përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, prindër e terapistë, iu bashkuan aktivitetit Ndriçoje krejt blu (Light it up blue). Ai iu bashkëngjit aktiviteteve ndërgjegjësuese në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin për të rritur sensibilizim mbi këtë sëmundje dhe pasojat e tij tek individët, familjet dhe e gjithë shoqëria. Ndriçoje krejt blu në vitin e tretë të saj, është një nismë globale unike nga Autism Speaks. Kjo nismë për herë të parë organizohet edhe në Shqipëri nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, për të ndihmuar në ngritjen e ndergjegjësimit mbi shqetësimin në rritje të shëndetit publik, që është autizmi. I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ajo çka duhet të theksoj sot, është se me këtë sfidë të madhe përballet sot realisht njerëzimi. Mbasi të dhënat janë se po merr karakter epidemik. Të dhënat se ky çrregullim nga 2002 në vitin 2012 është rritur me 78 për qind, dëshmojnë se një vetëdije shumë herë më e madhe lipset dhe duhet të krijohet ndaj këtij fenomeni. Në bindjen time më të thellë dhe këtu po flas si mjek është plotësisht i shërueshëm dhe i trajtueshëm. Është një fenomen, i cili mjekun me të shkëlqyer dhe ilaçet më të shkëlqyera ka prindërit e fëmijës, tha Berisha. Ai shtoi se shumë shpejt do të vendoset i gjithë kuadri i nevojshëm ligjor dhe institucional për përgjigjen më të mirë ndaj këtij fenomeni. Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha, tha se Fondacioni sjell për herë të parë në Shqipëri nismën Ndriçoje krejt blu, për të rritur ashtu si edhe në botë, shpërndarjen e dritës blu në familje dhe institucione publike e private, si shenjë ndërgjegjësimi për autizmin. Ajo falënderoi shumë komunitetin e prindërve të fëmijëve të prekur nga çrregullimi i spektrit autik, të cilët përtej çdo paragjykimi dhe stigme, u bënë sot pjesë aktive e fushatës ndërgjegjësuese për autizimin, nëpërmjet ekraneve të mediave televizive, duke shpërndarë mesazhe të forta edhe për prindërit e tjerë.
Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë prej katër vitesh u është bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare në luftën ndaj autizmit. Përveç shërbimeve direkte, Fondacioni është përqendruar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive të shoqërisë shqiptare mbi autizmin. Qershor 2009, Fondacioni hapi Qendrën e parë multidisiplinore për Vlerësimin e Trajtimin e Autizmit. Dhjetor 2011, Fondacioni përuroi Qendrën Rajonale për Autizmin në Shqipëri, që mundësoi jo vetëm rritjen e kapaciteteve vlerësuese e trajtuese, por gjithashtu dhe kapacitetet trajnuese e ato të aktiviteteve ndërgjegjësuese.