E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekshmëria amtare, Shqipëria lë pas Britaninë

Vasili: Janë përmirësuar indikatorët. Është ulur dhe vdekshmëria foshnjore.

Vdekshmëria foshnjore, amtare, mbu-lesa vaksinale dhe shëndeti i nënës dhe fëmijës, si tregues kryesorë të shërbimit shëndetësor në Shqipëri. Këta ishin vetëm disa nga indikatorët, të cilëve iu referua dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Gjatë një konference për shtyp, ai prezantoi të dhënat grafike dhe statistikore të këtyre indikatorëve. Ato iu referohen raporteve të burimeve ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore, UNICEF dhe UNFPA. Sipas Vasilit, për të parën herë një nga indikatorët penalizues të shëndetësisë shqiptare ndër vite, vdekshmëria foshnjore, në statistika tashmë referohet me numra njëshifrorë. Nga 35.4 vdekje për 1000 lindje të gjalla në vitin 1993 në 14. 7 në 2004, kjo shifër në vitin 2011 sipas statistikave shënon 8.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla, duke e radhitur vendin tonë në listën e vendeve të zhvilluara si Austri, Danimarkë, Belgjikë, Norvegji, Angli dhe SHBA, tha Vasili. Ai u ndal gjithashtu në një tjetër tregues  domethënës, si kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës. Sipas ministrit Vasili, në tërësi Shqipëria është cilësuar si një nga vendet më të përshtatshme për të qenë femër, për shkak se kujdesi shëndetësor ndaj gruas, i vlerësuar në tërësinë e vet, nga burime ndërkombëtare radhitet në të njëjtin nivel me vendet më të zhvilluara të botës. Sa i takon kujdesit shëndetësor ndaj gruas, sipas Vasilit vendi ynë renditet ndër tri vendet e para në botë.
Prestigjiozja The Guardian, duke iu referuar revistës mjekësore The Lancet, e referon Shqipërinë në 22 vendet e para në botë sa i takon kujdesit ndaj gruas dhe vdekshmërisë amtare (të dhënat i referohen 2008), duke lënë pas vende te tilla si Britania e Madhe, në një renditje prej 181 vendesh. Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të 2011-s nga statistika të Ministrisë së Shëndetësisë, vdekshmëria amtare rezulton në 5.8 vdekje në 100 mijë lindje. Tashmë ne kemi një mbulesë vaksinale në masën 98 për qind të popullatës, një skemë të konsoliduar, që aplikohet nga një armatë e tërë profesionistësh. Kjo skemë vaksinimi vjen duke u pasuruar nga viti në vit me vaksina të reja, duke bërë kalendarin shqiptar të vaksinimit të njëjtë me ato të vendeve më të zhvilluara, theksoi Vasili, duke vazhduar se sfida e radhës është mbajtja e një sistemi shëndetësor sa më stabël duke vërtetuar se asgjë nuk është e pamundur, kur nuk mungon vullneti për të punuar dhe ndryshuar.

8.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla, është treguesi i vdekshmërisë foshnjore sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke e radhitur vendin tonë në listën e vendeve të zhvilluara, si Austri, Danimarkë, Belgjikë, Norvegji, Angli dhe SHBA, tha Vasili.

Vdekshmëria amtare sipas the Guardian
.    Italia 3.9
.    Suedia 4.6
.    Australia 5.1
.    Irlanda 5.7
.    Kanadaja 6.6
.    Spanja 6.7
.    Japonia 6.8
.    Gjermania 7.0
.    Hungaria 7.1
.    Polonia 7.4
.    Holanda 7.6
.    Shqipëria 8.1
.    Britania 8.2
.    Danimarka 9.4
.    Franca 10
.    SHBA 16.7

Fakulteti i Mjekësisë, kthehet pas 30 vjetësh kërkimi shkencor
Dje, në Fakultetin e Mjekësisë u bë promovimi i 65 studentëve me mesatare mbi 9, që pas 30 vitesh do të përgatisin për herë të parë temën si formë për mbrojtjen e diplomës. Në Fakultetin e Mjekësisë nuk ka pasur kërkim shkencor që prej viteve 80. Ndryshimi i rregullores është bërë ditët e fundit nga Fakulteti. Tashmë, studentët me mesatare mbi 9 do të kenë mundësinë të diplomohen duke mbrojtur një temë kërkimore, duke mos iu nënshtruar provimit të përvitshëm të diplomimit. Ky vendim shënon nismën e parë për promovimin e kërkimit shkencor në shkencat biomjekësore. Zhvillimi i kërkimit shkencor në Fakultetin e Mjekësisë përbën një nga prioritetet e mia kryesore. Nuk është një ndërmarrje shumë e thjeshtë, pasi ka shumë faktorë që mungojnë për të bërë të mundur një ndryshim të tillë. Gjithsesi, përpjekjet e mia do të jenë të vazhdueshme në ngritjen e infrastrukturës së nevojshme akademike për të lehtësuar këtë proces, tha dekani i FM, Bajram Hysa.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›