Matura Shtetërore, Manastirliu: Për herë të parë teste të veçanta për nxënësit me aftësi ndryshe

Për herë të parë në provimet e Maturës Shtetërore do të ketë teste të veçanta për nxënësit me aftësi ndryshe. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, teksa ndau risitë e këtij viti me maturantët e Tiranës, tha se testet e personalizuara për maturantët me aftësi të veçanta reflektojnë angazhimin për një arsim gjithëpërfshirës.
Manastirliu theksoi se prioritet i Ministrisë është garantimi i një procesi të drejtë, të rregullt dhe të standardizuar.
“Testet model, që ne tashmë u bënë dy vite që i japim për nxënësit maturantë që në muajin janar, janë një mundësi shumë e mirë që të familjarizoheni me mënyrën e testit për katër provimet e maturës. Ajo që është e rëndësishme këtë vit është se fondin e pyetjeve e kemi të riorganizuar, sepse edhe mësuesit që janë përfshirë, hartuesit e tezave, i kanë riparë me shumë kujdes. Nga ana tjetër, sa i përket administratorëve të testimit, do të jenë mësuesit të cilët do të jenë në ambientet e përzgjedhura të testimit dhe do të jenë mbi 140 shkolla të cilat janë vendosur të jenë ambientet e testimit për provimet e Maturës Shtetërore. Janë të angazhuar më shumë se 640 vlerësues, pra mësues që do të korrigjojnë testet”, tha Manastiliu
Ministrja deklaroi se formati do të shkojë drejt digjitalizimit, përmes investimeve në laboratorët SMART dhe përmirësimit të infrastrukturës përmes Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA).
“Mundësitë që janë sot në Shqipëri për të ndjekur një edukim cilësor janë shumë më të mëdha se ato që ishin dje. Sot universitetet tona janë lidhur me universitete prestigjioze europiane. Ne kemi Universitetin Bujqësor të Tiranës që është lidhur me Universitetin e Shkencave Natyrore, Boku në Vjenë dhe në krye të pak viteve do të jenë diplomat e unifikuara njësoj sikur të kesh studiuar në Vjenë, Austri.
Ndërkohë kemi programe dyfishe dhe diploma të përbashkëta me universitete të huaja duke nisur që me universitetet e Italisë, ku programet e përbashkëta dhe diplomat dyfishe krijojnë mundësi që të kemi të njëjtat programe, me të njëjtat standarde dhe që diploma të njihet në të gjithë vendet.
Kampuset e universiteteve ndërkombëtare të njohura janë duke u hapur në Shqipëri. U hap kampusi i Tiranës i Kolegjit të Europës për nivelin master për të gjithë ata që studiojnë shkenca ndërkombëtare politike. Hapet këtë vit një tjetër kampus, ai i Universitetit Teknologjik të Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës, për degë shumë interesante dhe të kohës që lidhen me elektronikën dhe inxhinierinë elektronike që ju të keni të njëjtat diploma si në Francë. Të njëjtën gjë po bëjmë me Universitetin Teknik të Stambollit dhe po zgjerohemi edhe me universitete të tjera për të pasur programe të përbashkëta dhe diploma dyfishe”, tha Manastirliu.
/rtsh.al/