Lamtumirë Artan Lame! Miq e kolegë kryejnë homazhet: Ishte kujdestar i trashëgimisë kulturore

Në mjediset e Akademisë së Shkencave u zhvilluan homazhet në nderim të Artan Lames, i cili u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare pas një ndërhyrjeje në zemër në Gjermani.
Familjarë, miq, kolegë dhe figura publike i dhanë lamtumirën e fundit një personaliteti që për dekada me radhë kontribuoi në jetën institucionale, shoqërore dhe kulturore të vendit.
Në homazhe, fjalën përcjellëse e mbajti arkitekti dhe miku i tij i ngushtë, Artan Shkreli, i cili përshkroi Lamen si një njeri të jashtëzakonshëm, të përkushtuar dhe plot pasion.
Teksa solli në vëmendje të gjithë kontributin e Artan Lames në jetë publike dhe të shoqërisë civile, Shkreli tha se ai do të kujtohet si një figurë me dashuri të pakushtëzuar për Shqipërinë dhe me një kontribut të çmuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Lame ishte unik. Ai krijoi një traditë mbresëlënëse në trashëgiminë kulturore. Aktivist i kauzave të mprehta të shoqërisë civile e publicist mendjemprehtë. Krijuesi i muzeut më të fundit, atij të Gardës, muze që pret të përfundohet nga ne miqtë e tij sipas vizionit të tij. Ishte i paepure për pasionin e tij për trashëgiminë, ku donte t’i kthente çdo guri identitetin dhe çdo të nëpërkëmburi dinjitetin. Kishte një dashuri të pakushtëzuar ndaj Shqipërisë. Nuk e meritoje të ikje kaq herët, kishe kaq shumë ende për të dhënë, por Zoti të kërkoi pranë vetes. Do na mungosh Artan i dashur. U prefsh në paqe! Lamtumirë miku ynë!”, tha Shkreli.
Në homazhe ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se vendi dhe shoqëria civile ka humbur një njeri që luftonte për kauzat e mëdha publike.
“Artan Lame ishte miku im i debateve konstruktive dhe miqësore. Vendit do i mungojë një njeri i ditur, që kishte mendim për gjithçka dhe vetofrohej për kauza të mëdha publike e kombëtare. Vinte në shërbim jo vetëm njohjet dhe diturin, por dhe pasionin që kishte për t’i mbrojtur këto çështje. Shoqëria civile ka humbur një aktivist të shkëlqyer. Lame ishte një njeri unik, një intelektual dhe mbi të gjitha ishte një patriot i lindur që dinte të mbronte çështjet kombëtare”, tha Manja.
Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe e konsideroi Artan Lamen si një “kujdestar i trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare”.
“Sot vendi ka humbur një kujdestar të rrallë të trashëgimisë kulturore dhe historike. Jam tërësisht i dërrmuar, do mbështes amanetin e tij për muzeun e koleksioneve dhe historisë e kulturës shqiptare që Lame e donte më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Gonxhe.
Homazhet për kolegun dhe mikun e tyre bënë edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali, Arta Dade, Tom Doshi, Klotilda Bushka, etj. ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, e cilësoi Lamen një “mik të shqiptarëve dhe njeriut të ditur që punoi në të mirë të vendit”.
Gjatë karrierës Artan Lame ka mbajtur poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Po ashtu ka qenë veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa ka dhënë edhe kontribut si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare.
Në vitin 2012, Lame u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.
/rtsh.al/