The Economist , Enver Hoxha, vizatimi i parë serioz i diktatorit përmes arkivave shqiptare
Vizitorët e shumtë por dhe rekordet e shitjeve që u vendosën në edicionin e këtij viti kanë tërhequr si asnjëherë tjetër jo vetëm vëmendjen e mediave shqiptare por edhe të huaja. Prestigjiozja “The Economist”, nën siglën “Libra në Shqipëri” analizon në një shkrim të gjatë “gjithë kënaqësitë e Panairit të Librit në Tiranë, ku vlerëson mes të tjerave si librin më të shitur biografinë “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut, botim i UET Press
Vitet e fundit, lajmet që vijnë nga Shqipëria janë dominuar nga përplasjet e pafundme politike mes kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama. Por krejt papritur retë duket sikur janë larguar. Socialistët e Ramës janë kthyer në parlament, duke biseduar me njerëzit e Berishës, dhe është gjetur një zgjidhje për zgjedhjet e kundërshtuara për kryebashkiak në Tiranë. Shqiptarët e lehtësuar tani po flasin për diçka tjetër: librat.
Ngjarja e muajit ka qenë Panairi i Librit në Tiranë, që përfundoi të dielën. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në kryeqytetin shqiptar. Diçka më shumë se 80 tenda u sulmuan virtualisht nga njerëz që tundnin në duar para të thata me shpresë se nuk do humbisnin bestseller-at e fundit. Ambasadorë, peshkopë, personazhe të jetës publike dhe politikanë, ishin të gjithë aty.
Bukuroshja e kësaj balloje ishte Helena Kadare, që fitoi edhe një çmim si shkrimtarja më e mirë e vitit. Libri i saj i ri është pjesë e një memuari puth-dhe-trego në lidhje me jetën me bashkëshortin, Ismail, që nga shumë shqiptarë, përfshi edhe mua, shihet si shqiptari më i madh i gjallë. Më shumë për të argëtuar shtypin lokal, zonja Kadare diskuton në libër për lidhjet e ndryshme të dashurisë së burrit të saj. Çifti i fuqishëm letrar, të cilët janë akoma shumë të afërt, kalojnë gjysmën e vitit në Paris dhe gjysmën në Tiranë.
Shqiptarët tani të lumtur duken se kanë më shumë dëshirë të lexojnë për politikën sesa ta shohin atë tek luhet atje në rrugë. Bestseller-i më i madh politik në panair ishte libri i Ramës “Kurban”, një memuar i fokusuar në kohën e tij si kryebashkiak i Tiranës, gjatë së cilës qyteti u transformua nga një rrëmujë në një vend të këndshëm për të jetuar.
Pas zgjedhjeve lokale të kundërshtuara, Rama u detyrua të lërë detyrën te Lulzim Basha, i partisë së Berishës. Kur zoti Basha mbërriti në Bashki, një dele u sakrifikua atje. Kjo praktikë, që duket se të kthen prapa në kohërat e otomanëve, është ajo çka i dha Ramës titullin. Në kopertinë shfaqet gjak i shpërndarë mbi imazhin e një deleje.
Nënshkrimi i autografeve nga Rama tërhoqi turma të mëdha. Të dielën, e lumtura Arlinda Dudaj, botuesja, më thirri nga përtej turmës duke më thënë se kishte shitur 8 mijë kopje në pak ditë. Shifra të tilla janë një sukses i madh për libra të ngjashëm edhe në Britani, një vend shumë më i madh e më i pasur. Por zoti Berisha ka qenë aq shumë i zënë duke denoncuar librin e rivalit të tij, sa kur vizitoi panairin, refuzoi të kalonte tek tenda e zonjës Dudaj.
Henri Çili, një tjetër botues, ka parë ditë të mira. Mes librave të suksesshëm të këtij viti është një biografi e Enver Hoxhës, diktatorit komunist shqiptar, që vdiq në vitin 1985. “Është çmenduri,” thotë Mario Çili, vëllai i Henrit dhe drejtor menaxherial i kompanisë. Ai pretendon se janë shitur 14 mijë kopje gjatë tri javëve.
Libri, i Blendi Fevziut, një gazetar i njohur në Shqipëri, është vizatimi i parë serioz i jetës së Hoxhës përmes arkivave shqiptare. Me pak fat mund të përkthehet edhe për audiencat e huaja. Adrian Civici, një ekonomist, më tha se e kishte lexuar librin për dy ditë dhe i kishte vendosur nëntitullin: “Njeriu që vrau të gjithë miqtë”.
Megjithatë, pavarësisht këtij vërshimi në panair, njerëzit në Shqipëri po blejnë gjithmonë e më pak libra, njësoj si në mbarë botën. Piro Misha, një botues i njohur, më tha se shitjet kanë rënë me më shumë se 30 për qind krahasuar me një vit më parë. Revolucioni i eBook (librave elektronikë) nuk ka nisur akoma këtu, shumë pak iPad dhe Kindle shiten në Shqipëri, ndaj botuesit nuk janë shqetësuar për të dixhitalizuar librat.
Kishte edhe një surprizë më shumë në panair. Një tendë e madhe e bardhë, e drejtuar nga serbë, shiste mish të zgarës, shoqëruar me muzikë pop serbe në sfond. Ajo rezultoi po aq popullore sa libra mes tiranasve. Të shtunën, një ditë përpara se të mbyllej panairi, ata paketuan çadrat dhe ikën. Kosovarët dhe nacionalistët shqiptarë ishin ankuar. Në një vështrim më prozaik, njerëzit e lodhur nga panairi dhe të ngarkuar me qese të rënda librash, thjesht janë ulur për të shijuar mishin e për të pirë në tendë.