Automjeti përfshihet nga flakët pranë tunelit të Llogarasë, nuk ka të lënduar

Një automjet tip fuoristradë është përfshirë nga flakët rreth orës 13:00 të ditës së sotme në zonën e Llogarasë, vetëm pak metra para hyrjes së tunelit të Llogarasë.
Si pasojë e zjarrit, mjeti është shkrumbuar në masë të madhe, kryesisht në pjesën e përparme, aty ku ndodhet motori. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se flakët janë shkaktuar nga një defekt teknik në automjet, ndërsa temperaturat e larta që kanë përfshirë ditët e fundit qarkun e Vlorës mund të kenë favorizuar përhapjen e zjarrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandaluan përhapjen e tyre në zonën përreth.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e zjarrit.
/rtsh.al/