Katër zyrtarë në pranga, abuzuan me ndihmën ekonomike
Është shpallur në kërkim një person i pestë gjatë operacionit të koduar “Llogaria e gabuar”
LEZHË Policia e Lezhës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Llogaria e gabuar”, ku gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Ngjarja u denoncua pak kohë më parë nga kryetari aktual i Komunës Kaçinar, i cili kishte çuar dosjen e plotë në prokurori.
Arrestimi
Dje rreth orës 02:00, pas një pune operative e hetimore të kryer prej më shumë se tre muajsh është arritur edhe kapja e Flora Sutit, 42 vjeçe, lindur dhe banues ne fshatin Shëngjergj, komuna Kaçinar, Mirditë, me detyrë arkëtare e Komunës së Kaçinarit, e cila është ndaluar me urdhër të prokurorisë për veprat penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”. Po kështu është arrestuar edhe Gjet Shkurti, 44 vjeç, aktualisht me detyrë sekretar i këshillit të Komunës Kaçinar. Ndalimi i Gjet Shkurtit bëhet pasi akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Altin Gjoka, 22 vjeç, me detyrë punonjës i postës së komunës, dhe Pashk Gjoni 43 vjeç, me detyrë ish-shefi i financës së komunës, akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim i dokumenteve”. Është shpallur në kërkim Ndue Çupi, me detyrë ish-administrator i ndihmës ekonomike në komunë, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim dhe “falsifikim i dokumenteve”. Hetimet nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit vazhdojnë për të gjithë personat përgjegjës të kësaj komune, si dhe për zbardhjen e plotë të të gjithë veprimtarisë kriminale.
Hetimi
Sipas burimeve të informacionit të policisë së Lezhës mësohet se “të arrestuarit kanë katër vite që ushtronin vjedhje sistematike, duke plotësuar dosje fiktive për personat me përkrahje sociale apo aftësi të kufizuara. Vlera e paguar e përkrahjes ekonomike bëhej sipas numrit të frymëve, ku varionte nga 2000 deri në 4000 lekë. Ndërsa numri i dosjeve të falsifikuara arriti në 300. Denoncimi i këtyre punonjësve është bërë pas ardhjes në krye të kësaj komune të një përfaqësuesi nga opozita, Petrit Bardhi. Ai që në fillim të marrjes së detyrës ngriti akuzën edhe për shpërdorim fondesh. Bardhi i ka kërkuar policisë së Lezhës që të nisnin hetimet. Gjatë kontrollit kanë rezultuar mangësi dhe probleme që kishin të bënin pikërisht edhe me abuzimet e katër të arrestuarve. Madje kjo ka qenë edhe arsyeja që administrata e komunës ishte transferuar në Rrëshen, ku kishte marrë edhe zyra me qira duke braktisur zyrat e Komunës në Kaçinar, si të papërshtatshme për zhvillimin normal të punës së tyre.