E Diel, 1 Nëntor 2026

Autori i vrasjes së policit, me preçedent penalë në Itali

Sipas policisë së Elbasanit, mësohet se Leonardo Tabaku ka qenë i vetëm në momentin kur ka qëlluar ndaj policit.

ELBASAN: Leonardo Tabaku, autori i vrasjes së policit 51-vjeçar, ka qenë njeri me precedentë penale në shtetin fqinj në Itali. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Jashar Vreka, pohoi se “sipas të dhënave të grumbulluara, rezulton që ai të ketë qenë i implikuar në vepra të ndryshme penale në Itali, ku punonte si emigrant”. Burime policore pohuan se Leonardo Tabaku ka qenë i skeduar si i implikuar në trafik, tentativë vrasje etj. Megjithatë, në vendin tonë duket se ai nuk ka patur preçedent ndaj, edhe nuk ndiqej nga policia. Ndërsa mbrëmjen e dy ditëve më parë, sipas policise, ai ka qenë i vetëm në momentin kur ka dashur të grabisë gjeneratorin.

Vrasja

Fillmisht ka qenë Drejtoria e Policisë së Elbasanit që ka dalë në një prononcim zyrtar me anë të nëndrejtorit Rezar Velmishi. Nëndrejtori ka deklaruar se, kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Peqin, se persona të paidentifikuar po vidhnin transformatorin e energjisë. “Menjëherë pas këtij njoftimi, në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë Peqin, të planizuar me shërbim mbrëmjen e djeshme. Por sapo kanë arritur atje, personat e paidentifikuar, të cilët po tentonin të vidhnin këtë transformator, kanë hapur papritur zjarr sapo punonjësit e policisë janë afruar pranë mjetit të tyre. Zjarri ka qenë i befasishëm në drejtim të uniformave, ku si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen e menjëhershme punonjësi i policisë Sabit Caka”. Më tej, Velmishi shpjegon se “i ndodhur në këto rrethana, autori i kësaj ngjarje, pak metra larg makinës së tij, Leonardo Tabaku, duke u larguar ka qëlluar veten me armë”. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor i përbërë nga prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, Departamentit Kundër Krimit të organizuar dhe Krimeve të Rënda, prokurorë të Rrethit Gjyqësor Elbasan si dhe efektivë të drejtorisë së policisë së qarkut Elbasan, për të kryer veprimet hetimore dhe proçeduriale. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar mjetin Fiat UNO, me targë AD 043 KD1, një pushkë model 56, armë e cila i përkiste autorit që e mbante pa leje, disa gëzhoja dhe fishekë të pushkës, model 56. Hetimet e mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë, kundër Krimeve të Rënda Tiranë.

Familjarët e autorit

Familjarë dhe të afërm të Leonardo Tabakut, i akuzuar se qëlloi për vdekje efektivin e policisë, Sabit Caka, pohojnë se ende nuk e besojnë që ai të jetë përfshirë në ngjarje të tilla. Një nga kushërirat e tij deklaroi se “nuk na besohet, ai nuk ishte njeri i tillë. Atë e kanë futur në rrugë të gabuar persona dashakeqe që nuk i kanë dashur të mirën”.

Banorët e fshatit Shezë nuk duan të bëjnë komente për ngjarjen dhe ndjehen të shokuar nga ajo cfarë kanë mësuar. Disa prej tyre u shprehën se nuk e njihnin për njeri problematik në fshat.

Historiku i policëve të vrarë, Elbasan

Në qarkun e Elbasanit kanë rënë në krye të detyrës: Kristaq Begu, me detyrën e agjentit të policisë kriminale, i cili në përpjekje për të kapur kriminelin, është vrarë në vitin 1997; Florenc Balla, ish efektiv i policisë, me detyrën e agjentit të policisë kriminale, i vrarë në vitin 2003, tashmë i shpallur dëshmor; Ismail Zika, ish efektiv në Komisariatin e Policisë Librazhd, me detyrën e punonjësit të policisë së rendit, u plagos në datë 20.04.1997 dhe ka vdekur disa ditë më vonë; Vladimir Cala, ish efektiv i Komisariatit të Policisë Gramsh, i vrarë bashkë me bashkëshorten e tij në korrik të vitit 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›