Përcillet për në banesën e fundit polici 51-vjeçar
Në ceremoninë mortore merr pjesë dhe kryeministri i vendit, i cili ngushëlloi familjen e policit të rënë në krye të detyrës.
PEQIN: Trupi i pajetë i policit 51-vjeçar, me një karrierë të gjatë 17 vjeçare në efektivat e policies, u përcoll nga familja në Pallatin e Kulturës të qytetit të Peqinit, ku edhe u bënë homazhe nga drejtues të lartë të shtetit, të policisë, efektivë, miq e kolegë, qytetarë të thjeshtë. Djali i vetëm 17 vjeçar, ka shoqëruar arkivolin e efektivit të vrarë një natë më parë, ndërsa ishte në një operacion rutinë kontrolli. Rreth orës 15.00, trupi dhe fotografia e Sabit Cakës është transportuar dhe vendosur për homazhe në pallatin e kulturës. Pak minuta më vonë ka mbërritur kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili pasi ka vendosur kurorën me lule dhe është përkulur përballë arkivolit të policit të vrarë, ka takuar familjarët, bashkëshorten, vajzat, djalin dhe nënën e policit të vrarë. “Ngushëllime për oficerin e rënë në krye të detyrës, të rënë trimërisht me një burrëri, me një vetmohim të paparë. Ngushëllojmë familjen, ngushëllojmë qytetarët e Peqinit, shokët, bashkëudhëtarët e tij në Komisariatin e Policisë dhe të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit. Uroj familjen të gjejë forcën për të përballuar dhimbjen e pakompensueshme. Shpirti i dëshmorit që luftoi kundër armikut të çdo qytetari të këtij vendi, që është krimi i organizuar, të gjejë paqen e merituar”. “Kjo ditë e mbushur me dhimbje dhe emocion do të jetë pjesë e historisë së policisë shqiptare, pasi një tjetër koleg i shtrenjtë u nda nga jeta, duke përmbushur detyrën sa fisnike, aq dhe të shenjtë për t’i shërbyer kombit dhe qytetarëve të këtij vendi. Inspektor Sabit Caka, dhuroi jetën për të garantuar respektimin e ligjit, për të mbrojtur sigurinë e bashkëqytetarëve të tij kundër çdo lloj forme krimi, pasi ëndërronte udhën e lirisë, drejtësisë dhe të një Shqipërie Europiane. Besnikëria, përkushtimi, sakrifica dhe vlerat që kultivonte në vetvehte punonjësi i Policisë së Shtetit Sabit Caka, përbëjnë një trashëgimi të çmuar, burim krenarie dhe vlerash për t’u ndjekur dhe nga brezat e rinj. Falë sakrificës sublime të inspektor Sabit Caka dhe të qindra punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Shqipëria shikon me besim drejt së ardhmes, pasi beson në përkushtimin dhe vendosmërinë e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit për t’u përballur pa kompromis me krimin”, - ka thënë kryeministri. Në homazhe, kryeministri është shoqëruar nga ministri i Brendshëm Nishani dhe Drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj, të mbërritur më parë, duke vizituar edhe familjen Caka para zhvillimit të homazheve. Në ceremoninë e homazheve ka qenë e pranishme edhe deputetja Valentina Leskaj, e ndjekur nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini dhe deputeti i PS-së së Peqinit, Skënder Hasa. Sejdini dhe Leskaj janë përshëndetur nga Berisha, e madje ka patur një shtrëngim duarsh mes tyre. Një kurorë u vendos edhe nga dy këshilltarë të presidentit, në emër të presidentit të Republikës, Bamir Topi. Më pas, homazhet janë vazhduar nga deputetë, përfaqësues të forcave politike, drejtues të policisë, efektiva, të afërm, qytetarë të Peqinit.