Padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për krizën e plehrave
Një mal plehrash të pambledhura në Napoli ka detyruar Bashkimin Evropian të deklarojë se do ta nxjerrë Italinë para një gjykate. Më shumë se 1 mijë ton plehra kanë mbuluar rrugët e qytetit dhe BE argumenton se nuk është bërë aq sa duhet për t‘i larguar ato. "Komisioni nuk është i bindur se kjo çështje do të zgjidhet shpejt", tha një zyrtar i BE-së. Italia mund të ndeshet kështu me gjoba të rënda nëse Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos se Roma ka shkelur ligjet e BE-së mbi mbeturinat. Gjatë fundjavës së shkuar, zjarrfikësit u detyruan të ndërhynin për të shuar mbi 30 vatra zjarri, të ndezura nga qytetarët, të cilët nuk mund të duronin më erën e rëndë që vinte nga mbeturinat, një erë që bëhet akoma më e padurueshme me përkeqësimin e motit. Korrespondentët në Romë thonë se temperaturat në Napoli pritet të rriten gjatë majit dhe njerëzit kanë filluar të shqetësohen se me afrimin e verës, i nxehti mund të shoqërohet edhe me një rrezik gjithnjë e më të madh sëmundjesh. Kryeministri i ri i Italisë, Silvio Berluskoni, ka premtuar se do të angazhohet seriozisht në zgjidhjen e kësaj krize që ka gjunjëzuar rajonin e Kampanias përreth Napolit që nga 1994-a. Ai ka premtuar se do të mbajë mbledhjen e parë të kabinetit të tij në këtë qytet, gjatë këtij muaji, dhe do të vizitojë Napolin tri herë në javë deri sa të jetë i sigurt se një zgjidhje është gjetur. Gjatë 13 viteve të shkuara, autoritetet llogaritet të kenë shpenzuar mbi 1.3 miliardë euro, në përpjekje për të pastruar qytetin, por gjithnjë kanë dështuar. Italia argumenton se pjesë e problemit është e lidhur edhe me mafien lokale, "Kamorrën", që thuhet se kontrollon pjesën më të madhe të biznesit të mbeturinave. Sipas autoriteteve, prej vitesh "Kamorra" ka menaxhuar këtë "biznes" duke përfituar miliarda që më pas rëndonin mbi vetë qytetarët. Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, Komisioni Evropian lëshoi një paralajmërim për qeverinë italiane, se nëse nuk i bindet vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Drejtësisë në lidhje me mënyrën se si mblidhen plehrat në rajonin e Lacios, do të ndeshet me sanksione.