E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Autoritetet shëndetësore në Durrës: Nga 356 vizita asnjë rast me meningjit, vijojmë hetimin epidemiologjik

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës informoi sot se nga 356 vizita të kryera nuk është evidentuar asnjë rast me meningjit, ndërkohë që po vijon hetimi epidemiologjik dhe informimi përkatës.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Durrësit, rasti i dyshuar ishte nxënës i shkollës “Kushtrimi i Lirisë” dhe u menaxhua në kohë nga ana e Spitalit Rajonal Durrës duke u dërguar po në kohë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, ku aktualisht është nën mbikëqyrjen e mjekëve.

“Pas konfirmimit të rastit nga ana e QSUT-së, NJVKSh Durrës filloi hetimin epidemiologjik, duke dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit stafin për fillimin e hetimit, marrjen e kontakteve me familjaret dhe detajet e nevojshme si elemente të nevojshëm për marrjen e masave. Në mënyrë urgjente iu këshillua profilaksia nxënësve, familjarëve, mësuesve dhe stafit shëndetësor”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, stafi i Epidemiologjisë është paraqitur në ambientet e shkollës për vazhdimin e hetimit dhe komunikimin e vazhdueshëm me strukturat e arsimore.

Autoritete shëndetësore të Durrësit informojnë se nga dita e parë ka pasur zgjerim të ndjekjes së rrezes së personave të kontakteve të cilët kanë marrë profilaksinë e duhur.

“Vazhdon komunikimi dhe monitorimi nga ana e Shërbimit Epidemiologjik me shkollën, me strukturat e spitalit nëse kemi raste të dyshuara, me QSH për të qenë në alert, gjithashtu dhe komunikim sistematike me rekomandimet e ISHP-së”, thuhet në njoftim.

Duke iu referuar rasteve në urgjencën pediatrike dhe urgjencën e të rriturve në Spitalin Rajonal Durrës, sipas NJVKSh Durrës deri sot kanë regjistruar 128 vizita në Urgjencën Pediatrike dhe asnjë rast meningjiti.

Po ashtu edhe në urgjencën e të rriturve janë regjistruar 228 vizita nga këto 66 status febril dhe asnjë rast meningjiti.

“Në shkollat e qytetit vazhdohet me takime informuese në lidhje me informimin e stafeve, prindërve dhe nxënësve në lidhje me shenjat identifikuese, takime të cilat do të bëjnë dhe një informim të drejt rreth situatës, si dhe dhënien e informacionit se nuk jemi në kushtet për të pasur një situatë paniku në shkollat e qytetit të Durrësit”, thuhet në njoftimin e NJVKSh Durrës.

NJVKSh Durrës ritheksoi faktin se flitet vetëm për një rast të konfirmuar, pavarësisht situatës që parashtrohet në medie.

“Një rast i disa kohëve më parë dhe në këtë situatë aktuale është ndjekur me të njëjtin mënyrë dhe hapat e investigimit dhe masat për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, dhe kemi komunikuar me mail zyrtar dhe me ZVA Durrës që jemi vetëm në këto kushte dhe nuk jemi në situatë tjetër për të shtuar asnjë element paniku”, thuhet në njoftimin e NJVKSh-së Durrës. /m.m/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›