E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tomini: Vetëm një rast me meningjit në Durrës, s’ka situatë alarmante

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini bëri të ditur se ka vetëm një rast të raportuar me meningitin meningokoksik në Durrës dhe se situata nuk është alarmante. Tomini tha se situata po monitorohet dhe se rasti është i shtruar pranë Shërbimit të Sëmundjeve Infektive.

“Aktualisht nga të gjitha strukturat që po monitorojnë situatën epidemiologjike, por jo vetëm rastet me meningjit, por dhe situatën epidemiologjike në përgjithësi dua t’ju deklaroj se kemi vetëm një rast të vetëm, të raportuar në drejtim të menigjitit meningokoksik të shkaktuar Nisseria Meningitis.

“Asnjë rast tjetër. Rasti është në Durrës në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”. Është pasqyruar situata dhe tabloja e plotë në lidhje me rastin dhe hetimin epidemiologjik, rasti është shtruar pranë Shërbimit Infektiv, po trajtohet në mënyrë të specializuar nga mjekët tanë të klinikës së spitalit Infektiv. Situata po monitorohet”, tha Tomini.

Në një intervistë për mediet, Tomini shtoi se “dua të qetësoj të gjithë prindërit, gjyshërit, ata që merren me transportin e fëmijëve në shkollë, drejtoritë e tjera arsimore, në lidhje me situatën epidemiologjike. Asnjë rast tjetër i ri dyshuar apo i konfirmuar në Durrës në lidhje me rastin e Nisseria Meningitis apo meningitin Meningokoksik”.

E pyetur në lidhje me protokollin që është ndjekur për rastin, Tomini tha se higjienizimi, pastrimi, ndërrimi i koshave, pastrimi i ambienteve të klasave, si çdo praktikë tjetër e higjienizimit të ambienteve ku kemi kolektive, jo vetëm në shkolla, gjimnaze apo dhe më gjerë janë masat që merren.

“Absolutisht asnjë element tjetër shtesë nuk duhet vepruar. Fakti është se është një sëmundje që transmetohet nëpërmjet spërklave, teshtitjeve, sekrecioneve të hundës. Duhet respektimi i etikës repsiratore. Teshtitja në facoletë dhe më pas hedhje në kosh, gjithmonë kemi rekomanduar teshtitje me facoleta të thata. Nëse jemi sëmurë me një gjendje virale apo gjendje të rrufës stinore, të qëndrojmë dy-tre ditë në shtëpi. Këto janë rekomandime për të minimizuar infeksionet virale në përgjithësi”, shtoi Tomini.

Tomini nënvizoi se “duhet qetësuar popullata, absolutisht asnjë situatë alarmante. Është ndjekur protokolli brenda 24 orëve në drejtimin e ndjekjes së kontakteve nga ana epidemiologjike, e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës, e spitalit të Durrësit, aty ku është pritur rasti, e spitalit në QSUT në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive”.

Tomini tha së Shqipëria është në fashën e rasteve të klasifikuara si raste sporadike të meningjitit meningokoksik.

“Të ulet paniku. Shqipëria klasifikohet në fashën e vendeve të cilat kanë raste sporadike, pra raste të pakta të meningitit Meningitis”, tha Tomini.

Sa i takon vaksinimit, Tomini nënvizoi se “ne kemi rekomanduar për vendosjen e vaksinave në kalendar dhe jemi mirëpritur nga MSH”.

“Kemi hartuar strategjinë deri në vitin 2030, ku dy vaksinat kryesore ajo e HPV-së dhe e meningokokut janë të përfshira në rekomandime për ndjekjen e kësaj strategjie”, u shpreh ajo.

“Kemi raste sporadike, kapja në kohë e rastit, mos neglizhimi i formave serioze, monitorimi edhe nga prindërit i rasteve, sigurisht që i jep një përgjigje në terapi të menjëhershme. Durrësi në këto ditë është mediatikisht goditur edhe në drejtim të shfaqjes së rasteve edhe në shkolla të tjera. Asnjë rast tjetër i dyshuar qoftë, i dyshuar nuk ka të raportuar”, tha Tomini. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›