Autoriteti i Konkurrencës: Shitja e ARMO-s është e pavlefshme, nuk na njoftuan
Autoriteti i Konkurrencës e konsideron të pavlefshëm kalimin e aksioneve nga Rezart Taçi te grupi azer Heaney Assets Coorporation për pronësinë e re të ARMO-s, kundrejt shifrës 35 milionë euro.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Shqip.
Bëhet fjalë për shitjen e 80 për qind të aksioneve të kompanisë së rafinerisë së naftës ARMO, në pronësi të Taçit, transaksion i realizuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në datën 8 gusht, i cili rrezikon të shpallet i pavlefshëm.
Burime nga Autoriteti i Konkurrencës bëjnë të ditur se ky institucion nuk është njoftuar për kalimin e aksioneve. Pra, në bazë të ligjit Për konkurrencën duhet të ishte bërë paraprakisht njoftimi i përqendrimit të këtij transaksioni dhe më pas të kryheshin procedurat e regjistrimit në QKR. Sakaq, dje janë prezantuar drejtorët e rinj të kompanisë ARMO dhe risia është se janë inxhinierë të sektorit të karburanteve.
Konkretisht, sipas nenit 14 të ligjit Për konkurrencën, pika 1, germa a, përqendrimet nuk realizohen përpara njoftimit tek Autoriteti i Konkurrencës dhe për më tepër, nuk duhet të bëhet ndryshimi i aksionerëve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pa u shqyrtuar përqendrimi nga Autoriteti. Po sipas ligjit, për mosnjoftim, në bazë të nenit 73, pika 1, rrezikojnë gjoba deri në 1 për qind të xhiros.
Për realizim të transaksionit në QKR pa njoftuar, gjoba rritet më tej, dhe shkon deri në 10 për qind të xhiros, thuhet më tej në nenin 74, pika 1, germa d. Duke pasur parasysh që xhiro e deklaruar e ARMO-s ishte rreth 130 milionë euro në 2012-n, atëherë kompania rrezikon një gjobë prej deri në 13 milionë euro.