Tragjedia në Tiranë/ Tetovari u zemërua pse e dashura nuk i erdhi për një javë
(E PERDITESUAR)- Një ngjarje e rëndë u shënua në orët e mesditës në një hotel në periferi të Tiranës.
Një person qëlloi mbi të dashurën e tij dhe më pas vrau veten.
Burimet policore bëjnë me dije se shtetasi nga Tetova e Maqedonisë, Agim Emini, ka plagosur rëndë të dashurën e tij, A.S., studente 21 vjeçare nga Skrapari.
Tetovari duket se kishte rënë kokë e këmbë në dashuri me vajzën 21 vjeçare nga Skrapari.
E nëse nuk jetonin bashkë, vdekja i priste që të dy.
Ngjarja e sotme në kryeqytet, ky një vajzë mbeti e plagosur dhe një burrë gjeti vdekjen, duket se është një histori dashurie apo dhe mjerimi mes dy njerëzve në një diferencë të madhe moshe.
21 vjeçarja, studente e vitit të tretë, kishte disa muaj që shoqërohej me Agim Eminin, i njohur si tregtar i sobave të drurit.
Të dhënat e para bëjnë me dije se 21 vjeçarja shoqërohej shpesh me të dashurin e saj madhor, ndërkohë që shumë herë kanë kaluar bashkë dhe kufirin shqiptar.
E ndërsa këto javë të nxehta gushti duhet të ishin vërtetë të tilla për çiftin e dashnorëve, gjithçka është kthyer në tragjedi, për shkak të xhelozisë së Agim Eminit.
52 vjeçari kishte planifikuar të kalonte pushimet verore me të dashurën e tij.
Prej mëse një jave ai kishte rezervuar dhe dhomë në hotelin pranë vilave gjermane në Tiranë, ku edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë mesditën e së mërkurës.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se Agim Emini ka pritur për mëse një javë të dashurën e tij, me të cilën është takuar mëngjesin e së mërkurës.
Në lokalin e hotelit, dy të dashurit kanë pasur debate të forta, ku dëshmitarë kanë deklaruar për policinë se motivi i sherrit ka qenë pyetjet e 52 vjeçarit se ku kishte humbur vajza për më shumë se një javë.
Më pas, çifti është ngjitur në dhomën e hotelit ku pak minuta më vonë vajza ka dalë duke ulëritur dhe kërkuar ndihmë.
Punonjësit e hotelit kanë parë 21 vjeçaren të dalë duke bërtitur nga dera e dhomës dhe pas saj 52 vjeçari me një armë në dorë, me të cilën qëlloi vajzën duke e plagosur.
Dëshmitarë kanë thënë për policë se 52 vjeçari ka kërcënuar dhe punonjësen e hotelit se do ta vriste, por ka qëlluar veten duke mbetur i vdekur në vend.
Menjëherë të pranishmit kanë njoftuar policinë dhe autoambulancën, e cila mbërriti me vonesë, duke bërë që 21 vjeçarja e plagosur të dërgohet me taksi drejt Spitalit Ushtarak.
Burime nga ky spital bëjnë të ditur se vajza ka një plagë shumë pranë zemrës, por pas operacionit, i cili zgjati më tepër se 2 orë e gjysmë, është jashtë rrezikut për jetën.
Zyrtarisht policia e Tiranës thotë se po heton për motivet e ngjarjes, e duket se dëshmia e vajzës do të hedhë dritë mbi krimin që me sa duket është për motive xhelozie.
Lidhja intime mes Agim Eminit 52 vjeç nga Tetova dhe studentes 21-vjeçare, e cila ishte e fejuar me një djalë tjetër, Ana Sulçe, kishte nisur në fillim të vitit 2013.
Ata mësohet se janë njohur në rrjetin social Facebook dhe pasi kishin komunikuar për disa ditë, Emini kishte ardhur në Tiranë për ta takuar. Në këtë mënyrë kishin nisur kontaktet e tyre më të shpeshta duke u njohur më shumë.
Për pak kohë kishin nisur edhe të udhëtonin bashkë jashtë Shqipërisë, në Greqi e Maqedoni.
Në vitin 1996, Emini u arrestua në Zvicër për trafik lëndësh narkotike dhe u dënua me 17 vjet burg.
Pasi qëndroi 15 vite në qeli, ai u la i lirë dhe në vitin 2011 u rikthye në vendin e tij të lindjes, në Tetovë të Maqedonisë, ku e priste vetëm e ëma, pasi babai i kishte vdekur.
Raportohet se nuk ishte i martuar.